“Mbretëria e Qymyrit” shpërblehet në Dokufest

Filmi dokumentar “Mbretëria e Qymyrit” i bërë si bashkëprodhim i Rrjetit Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN, dhe Crossing Bridges fitoi shpërblimin për filmin më të mirë dokumentar në kategorinë e filmave për mjedisin “Green Doc”, në kuadër të edicionit të dhjetë të Festivalit të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër DOKUFEST.

Filmi hulumton shpenzimet ekonomike, shëndetësore e mjedisore të thëngjillit dhe gjurmon potencialin për energji alternative në Kosovë. Me një juri ndërkombëtare dhe në konkurrencë me filma mjaft të njohur ndërkombëtarisht në çështjen e mjedisit, “Mbretëria e Qymyrit” u vlerësua si film i rëndësishëm për rajonin.

Regjisorët e filmit Casey Cooper Johnson dhe Antoneta Kastrati folën gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve.

“Në këtë paqartësi që ekziston ne publik lidhur me një çështje kaq të rëndësishme sikurse termocentrali i ri, ne shpresojmë që me këtë film kemi ofruar një shpjegim të asaj që po ndodh në prapavijë, me qëllim që t’i qartësojmë çështjet dhe t’i prezantojmë publikut në Kosovë disa alternative. Pastaj, ata mund të zgjedhin,” tha Cooper Johnson.

Ndërsa Antoneta Kastrati tha: “Më së shumti për këtë film i falënderojmë fëmijët në fshatin Dardhishte që na mundësuan të kuptojmë realitetin se si është të jetosh pranë termocentralit”.

Ndërsa, producentja e dokumentarit Jeta Xharra tha: “Ajo që është e re në këtë film është që për herë të parë diskutohet publikisht për mundësitë e energjisë alternative në Kosovë sepse deri më tash na është thënë që Kosova të vetmen shpresë e ka prodhimin e energjisë me qymyr dhe s’ka tjetër – në fakt, si krejt bota, edhe ne kemi zgjedhje në këtë drejtim!”

“Mbretëria e Qymyrit” do të shfaqet në kuadër të emisionit Jeta në Kosovë gjatë shtatorit.