Jeta në Kosovë transmeton drejtpërdrejt Gala Mbrëmjen Humanitare

Sonte Jeta në Kosovë bashkë me Shoqatën “Nëna Terezë” nga Gjermania dhe RTK-në, organizon Gala Mbrëmjen Humanitare për mbledhjen e fondeve për shërimin e fëmijëve të sëmurë të cilëve do t’u mundësohet trajtimi jashtë Kosovës, në spitalet më kompetente europiane.

Fondet do të shkojnë edhe për përmirësimin e reparteve të nevojshme për fëmijë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Kësaj radhe nuk ka pyetje të vështira, por një kërkesë të vetme: të ndihmojmë shëndetin e fëmijëve!

Gala humanitare ka qëllim ekskluzivisht humanitar. Të gjithë ata që gëzojnë frytet e punës dhe jetës në shoqërinë tonë, kanë mundësi të japin në drejtimin e kundërt duke ndihmuar rininë dhe gjeneratat e ardhshme.

Fëmijët kërkojnë ndihmën tuaj! Ju mund t’u jepni atyre rastin të jetojnë të shëndoshë.

Gjallëria do të shoqërohet edhe me çaste muzikore dhe humoristike nga artistë të njohur dhe vullnetarë të vendit.

Kjo mbrëmje transmetohet drejtpërdrejtë sonte në Radio Televizionin e Kosovës, në ora 20:00, ndërsa të gjithë ju që jeni të interesuar të ndihmoni, këtë mund ta bëni duke telefonuar në numrin 038 277, për të gjithë të interesuarit brenda dhe jashtë Kosovës.