Jeta në Kosovë debaton në lidhje me përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme

Sonte në emisionin Jeta në Kosovë, përfaqësuesit e partive politike në KQZ në njërën anë, dhe përfaqësues të organizatave jo-qeveritare në anën tjetër, do të diskutojnë në lidhje me përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 dhjetorit.

Para debatit, BIRN transmeton intervistën e gazetares Edona Musa me doktoreshën Gjina Zeqiri, me të cilën ka diskutuar për shkaqet e mbylljes së spitalit të saj privat nga ana e autoriteteve përgjegjëse.

Ndërsa pas intervistës, gazetari Muhamet Hajrullahu ka ftuar në studio përfaqësuesit e partive politike në Komisionin Qendror Zgjedhor si dhe përfaqësues të organizatave jo-qeveritare për të debatuar në lidhje me përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 dhjetorit dhe sfidat në lidhje me këto zgjedhje.

A është e gatshme KQZ për t’i organizuar zgjedhjet e jashtëzakonshme në mënyrë profesionale dhe demokratike? A janë rifreskuar listat apo ende do të ketë të vdekur nëpër lista të votuesve? Cilat janë sfidat dhe problemet e identifikuara nga zgjedhjet e kaluara? Çka thonë përfaqësuesit e organizatave jo-qeveritare në lidhje me keqpërdorimin e votës së lirë dhe parregullsitë tjera të evidentuara në zgjedhjet e kaluara?

Për të biseduar për këto dhe çështje të tjera në lidhje me zgjedhjet e parakohshme, mysafirë të Muhamet Hajrullahut në studio do të jenë:

Betim Gjoshi – përfaqësues i PDK-së në KQZ,

Florian Dushi – përfaqësues i LDK-së në KQZ,

Ilir Fetahu – përfaqësues i LDD-së në KQZ,

Albulena Sadiku – Organizata INPO dhe

Avni Zogiani – Organizata ÇOHU.

Pas debatit, BIRN transmeton reportazhin televiziv të gazetarit Alban Selimi i cili flet për moskujdesin ndaj trashëgimisë kulturore në Novobërdë.

Në fund të emisionit do të ndiqni reportazhin se kush – kënd e akuzon për përfitim të banesave të ndërtuara nga Ben-Af në Suharekë, të përgatitur nga hulumtuesi Petrit Kryeziu.