Istog

“Fabrika e ujit të pijshëm e don një 10-ditësh të startimit të saj”.

Ky ishte premtimi i kryetarit të Komunës së Klinës, Sokol Bashota, njëherësh kandidat i PDK-së për të njëjtën pozitë, për mandatin e tij të tretë, dhënë gjatë debatit për zgjedhjet lokale në Klinë më 10 tetor.

Ndërsa të enjten me 24 tetor, 14 ditë pas premtimit të tij, Fabrika e Ujit ende nuk është funksionale, ndërsa Bashota i tha Gazetës Jeta në Kosovë se i duhet edhe një javë tjetër për ta funksionalizuar projektin e fabrikës së ujit.

“Janë bërë të gjitha përgatitjet, për diku 6, 7 ditë lëshohet fabrika e ujit”, tha Bashota.

Kryetari i kësaj komune, Sokol Bashota, zgjidhjen e problemit për ujë të pijshëm e kishte premtuar qysh në mandatin e parë në vitin 2007, duke thënë se do ta sjellë ujin me gypa nga Istogu, gjë që nuk ishte realizuar gjatë këtij mandati.

Bashota në mandatin e tij të dytë në vitin 2009 prapë e pati premtuar zgjidhjen e problemit për ujin e pijes, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Ndërtimi i fabrikës së re të ujit në Klinë, e paraparë për të furnizuar me ujë të pijes 40 mijë banorë, e filluar para dy vjetësh e gjysmë, është përfunduar që në shkurt të këtij viti.

Gazeta Jeta në Kosovë ka shkruar gjatë muajit shtator për Fabrikën e Ujit në Klinë dhe për pengesat e lëshimit të saj në qarkullim.

Bashota deklaroi gjatë debatit Zgjedhjet Lokale 2013 se e kanë paguar 2-3 ditë para debatit këstin e fundit prej 300 mijë eurosh që i kishin borxh kompanisë.

Por, Fran Paloka, koordinator i  projektit të fabrikës së ujit në Klinë, që përfaqëson konzorciumin e kompanive ndërtuese, thotë se kjo pagesë nuk ishte kësti i fundit.
 
“..ka qenë kësti i faturës së hapur që nga shkurti, i cili borxh është dashur të paguhet deri më 15 prill të këtij viti”, thotë Paloka.

Ai thotë  se që nga muaji prill, kur është dashur të paguhej borxhi, e deri në kohën kur është paguar para pak ditësh, komuna është dashur të paguajë edhe kamatë, e cila për këtë periudhë ka arritur në rreth 13 mijë euro.

“Pagesa, e cila ishte e hapur që të bëhej që nga muaji shkurt, është bërë tani prej rreth 300 mijë eurosh, ndërkaq Komuna e Klinës ka edhe një pagesë tjetër prej mbi 300 mijë eurosh tjera, për të cilën ne kërkojmë marrëveshje të nënshkruar për një datë të caktuar nga ana e komunës, se kur do të bëhet pagesa e kësaj shume”, tha koordinatori Paloka.

Ai shtoi se asnjëherë nuk është bërë pyetja se sa është borxhi total i komunës së Klinës ndaj kompanisë, por vetëm se përse nuk po funksionon fabrika.

“Gjithmonë është bërë pyetja se pse është ndalë fabrika dhe në atë kohë ka qenë fatura prej 300 mijë eurosh e papaguar. Pjesën tjetër që ende kanë borxh me i pagu nuk kanë fonde për pagesë, por duhet bërë kontratë për pagesë se në cilin muaj të vitit të ardhshëm duhet ta paguajnë”, tha Paloka.

“Ata kanë me nënshkru disa dokumente se kur do ta bëjnë pagesën, pagesën e bërë tash që e kanë pasur për muajin prill e kanë paguar me kamatë, kamatën prej 8 për qind”, ka shtuar ai.

Paloka ka thënë se borxhi tjetër mbi 300 mijë euro përbëhet nga shuma e këstit prej 169 mijë e 500 eurosh, shuma e punëve shtesë rreth 160 mijë euro dhe kamata mbi 13 mijë euro.

Ai më pas ka nënvizuar se nuk është problemi i vetëm pagesa e kësteve, por menaxheri i ri duhet të ketë parasysh mirëmbajtjen e fabrikës, klorizimin dhe përcjelljen e cilësisë së ujit.

Në të kundërtën,  nuk do të ketë mundësi për ta pasur nën menaxhim këtë fabrikë.

“Kushtet tona janë: nënshkrimi i marrëveshjes për pagesat e ardhshme, pastrimi i pjesës së lumit mbi pendë, rekomandimet se kush do ta marrë mirëmbajtjen, furnizimi me klor të mjaftueshëm, kontrollimi i cilësisë së ujit”.

Rasim Millaku, drejtor i Inspektoratit në Komunën e Klinës, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se kësti tjetër nuk është prej 300 mijë eurosh, por rreth 176 mijë euro.

“Nuk është e vërtetë që është shuma prej 300 mijë eurosh, është vetëm vlera e 10 përqindëshit të kontratës rreth 1.7 milionëshe, që i bie diku rreth 176 mijë euro, ndërkaq pagesa e këstit të fundit prej 300 mijë eurosh ka qenë obligim i qeverisë dhe me dërgimin e buxhetit të Kosovës në gjykatë nga ana e LVV-së, mjetet janë vonuar, por që janë paguar tash para pak ditësh”, tha Millaku.

“Kompania është duke bërë përgatitjet e fabrikës që ajo shumë shpejt të jetë në funksion”, ka thënë më tej Millaku, duke mos dhënë datë të saktë se kur do të fillojë të funksionojë kjo fabrikë.

Shtëpia e Kulturës e premtuar qysh në vitin 2010

“Të gjithë kundërkanidatët dhe qytetarët i ftoj me të 25-in në inaugurimin e Shtëpisë së Kluturës”, tha Sokol Bashota në debatin “Zgjedhjet Komunale 2013”.

Por në këtë objekt ende po punohet.

Zeqir Morina, drejtor i Urbanizmit në Klinë tha se firmat punuese janë duke punuar edhe natën, duke e përshpejtuar punën në mënyrë që ditën e premte të bëhet prerja e shiritit zyrtarisht.

“Nuk është çfarë problemi sa të bëhet kaq bujë. Proceset e punës nuk janë fikse dhe prerja e shiritit do të bëhet të premten, edhe pse asgjë nuk ka absolute”, tha Morina.

Sokol Bashota kishte premtuar se Shtëpia e Kulturës do të përurohej që në vitin 2010.

Dhe se ky objekt do të përmbante sallat e sporteve, një teatër dhe bibliotekën.