Buletini Drejtësia në Kosovë Prill 2012, Nr. 18

1. Konfirmohet akuza për gjykatësin e suspenduar

Gjatë muajit prill, Gjykata Komunale në Prishtinë, ka konfirmuar aktakuzën për gjykatësin e Gjykatës Komunale në Pejë, Sejdi Blakaj. Gjykatësi akuzohet për veprën penale“nxjerrje e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore”, e dënueshme me burgim nga ëgjashtë muaj deri në pesëë vjet.
Gjykatësja Alltën Murseli, pasi që kishte marrë parasysh deklaratat e palëve dhe shkresat e lëndës, kishte gjetur se ekzistojnë prova të mjaftueshme për ta mbështetur dyshimin e bazuar se i akuzuari e ka kryer veprën penale.

Aktvendimi i saj për konfirmimin e aktakuzës ishte i shkurtëër dhe nuk zinte më shumë se një faqe. Arsyetimi i aktvendimit përbëhej prej vetëm disa rreshtave, i mungonte analiza e provave dhe nuk shpjegohej përmbajtja e aktakuzës. Arsyetimi nuk përmbante as pretendimet e prokurorisë dhe të mbrojtjes, të dhëna në seancën e mbajtur në fillim të prillit.
Nga ana tjetër, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, në fillim të prillit, e kishte suspenduar gjykatësin Blakaj nga detyra e gjykatësit në Gjykatën Komunale në Pejë.
Prokuroria Komunale e Prishtinës kishte ngritur aktakuzën kundër Sejdi Blakajt, pasi ai kishte bërë revokimin e një fletërreshtimi, edhe pse në atë kohë ishte vërtetuar se i pandehuri gjendet në SHBA, që nga viti 2006. Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “nxjerrje e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore” nga neni 346, paragrafi 1, i KPK-së.

Blakaj, gjatë seancës kishte thënë se bëhet fjalë për një rast, kur ai është vënë në “lajthim” nga një person, që është paraqitur në vend të një të akuzuari tjetër, i cili akuzohej për falsifikim të dokumentit. I njëjti është deklaruar se nuk e pranon fajësinë.
Avokati i Blakajt, gjatë seancës, ka deklaruar se nuk ka prova materiale se i pandehuri e ka kryer këtë vepër penale, duke përmendur se mungon një nga elementet thelbësore të kësaj vepre penale, ajo e përfitimit. Sipas tij, nuk ka dëshmi që gjykatësi Blakaj ka përfituar në këtë rast.
Prokurori, në anën tjetër, ka deklaruar se mbetet pranë aktakuzës dhe se ajo duhej të konfirmohej.

2. Kleçka është rast i mbyllur

Më 30 mars, atëherë kur pritej që të gjithë të pandehurit në Rastin Kleçka të shpalleshin të pafajshëm në mungesë të provave, kolegji i gjykatësve në përbërje të Jonathan Wellford-Carroll, Shqipe Qerimi dhe Dean Pinelesvendosi që rasti kundër Fatmir Limajt, Naser Krasniqit, Nexhmi Krasniqit dhe Naser Shalës, të veçohet dhe që gjykimi kundër tyre të vazhdojë.
Nga ana tjetër, kolegji i shpalli të pafajshëm dhe i liroi nga akuza në mungesë të provave gjashtë bashkëluftëtarët e tjerë të Limajt – Arben Krasniqin, Behlul Limajn, Refki Mazrekun, Sabit Shalën, Shaban Shalën dhe Besim Shurdhajn, në të gjitha pikat për të cilat ata akuzoheshin, për krime të luftës kundër popullatës civile dhe të burgosurve të luftës.

Vendimin për të vazhduar gjykimin për katër të pandehurit, në mesin e të cilëve edhe Fatmir Limaj, gjykata e arsyetoi me atë se të pandehurit kishin pozita komanduese dhe prokuroria ka paraqitur disa prova që flasin për këto pozita. Me këtë, gjykata po i ofronte mbrojtjes mundësinë e ballafaqimit të provave.

Kolegji i gjykatësve i kërkoi prokurorit që të bëjë ndryshimin e aktakuzës në përgjithësi, e që aktakuza në pikat e saj të paraqes saktësisht se për cilat pozita komanduese akuzohen të pandehurit dhe se cilat janë përgjegjësitë e secilit. Mbrojtja do të duhej të përgjigjej në ato që prokurori do t’i dorëzonte.

Prokuroria në letrën e saj, së fundmi, kërkoi nga gjykata që edhe për të pandehurit e mbetur të marrë aktgjykim dhe njoftoi se aktakuza e prokurorisë do të mbetej e njëjtë, duke refuzuar ta ndryshojë atë. Në fund, prokuroria kërkoi që as mbrojtjes të mos i lejohet paraqitja e provave të reja. Gjykata, ndërkohë është duke i pritur edhe argumentet e mbrojtjes në letrën e prokurorisë.
Pas argumenteve të prokurorisë dhe mbrojtjes, në fillim të muajit, maj gjykata ftoi në seancë palët, për të shpallur aktgjykimin. Në aktgjykim, gjykata vendosi që t’i lirojë të gjithë të pandehurit në mungesë të provave, në kuptim të nenit 390, paragrafi 2, të KPPK-së.

Si erdhi deri te ky vendim i gjykatës?

Ishte 21 marsi i 2012-së që solli të papriturën për prokurorin special, Maurizio Salustro. Kolegji i gjykatësve, me aktvendim, shpallën të papranueshme të gjitha dëshmitë dhe ditarët e dëshmitarit të mbrojtur dhe bashkëpunues X, Agim Zogaj.
Gjykatësit kanë vlerësuar se prokuroria nuk i ka përmbushur disa standarde të caktuara procedurale, dhe për këtë arsye dëshmia e Agim Zogajt është e papranueshme, thuhej në vendimin e gjykatës.
Dëshmia e X-it ishte pjesa thelbësore ku mbështetej aktakuza e prokurorit.
Po atë ditë, mbrojtësit kërkuan që të pandehurit të lirohen nga paraburgimi dhe nga arresti shtëpiak. Gjykata urdhëroi heqjen e të gjitha masave për të pandehurit. Si rrjedhojë, Limaj dhe nëntë bashkëluftëtarët e tij u lanë të mbrohen në liri.

Kolegji i gjykatësve, në pajtim me palët, urdhëroi që të gjithë të sjellin fjalët e tyre përfundimtare, duke anashkaluar një pikë të rëndësishme në Kodin e Procedurës Penale, që ishte dhënia e mbrojtjes nga ana e të pandehurve.
Një seancë para se të merrej vendimi, anëtari i kolegjit, gjykatësi Dean Pineles, i shtroi disa pyetje prokurorit Salustro. Gjykatësi Pineles pyeti se a mundet prokuroria të paraqiste rastin e saj pa dëshmitë dhe ditarët e dëshmitarit Zogaj. Prokurori u përgjigj se pa dëshmitë dhe ditarët e dëshmitarit Agim Zogaj, nuk do të niste ky proces, kjo pasi që ai kishte qenë burimi kryesor dhe primar i prokurorisë në këtë çështje.

Gjykatësi Pineles, edhe në seancën e dhënies së vendimit për provat e Zogajt e pyeti prokurorin nëse vazhdonte të mbetej pranë aktakuzës, duke i përkujtuar atë që kishte thënë para se të merrej vendimi. Prokurori nuk hoqi dorë nga aktakuza.

Nga nisi rasti Kleçka?
20 nëntori i 2009-ës e gjeti Agim Zogajn në policinë e EULEX-it, duke dëshmuar për krimet e kryera në Kleçkë, gjatë luftës. Zogaj, dëshminë e tij e vazhdoi edhe më 30 nëntor, në polici.
Më 4 shkurt 2010, Zogaj ishte në Prokurorinë Speciale të Kosovës, duke dhënë dëshmi në cilësinë e të dyshuarit për krimet e Kleçkës. Marrja në pyetje e të dyshuarit Zogaj në PSRK vazhdoi edhe më 9, 11, 16 dhe 17 shkurt, pastaj më 10, 16 dhe 25 mars, 9 qershor, për të vazhduar me 20 gusht në këtë cilësi.
Prokurori special, Maurizio Salustro, më 5 tetor, në zyrat e tij, e dëgjoi Zogajn në cilësinë e dëshmitarit. Nga kjo kohë, prokuroria filloi procedurat që dëshmitari Zogaj të shpallej dëshmitar bashkëpunues në rastin Kleçka.

Gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë që Zogaj të shpallej dëshmitar bashkëpunues, ndërsa prokurori dëshmitarin Zogaj e futi në programin e EULEX-it për dëshmitarë të mbrojtur, duke i dhënë edhe nofkën X.
Në korrik, prokurori, pas kërkesës së mbrojtjes, iu ofroi atyre që të marrin në pyetje dëshmitarin Zogaj.

Çka dëshmoi Zogaj në Prokurori?
Ishin pikërisht dëshmitë dhe ditarët e dëshmitarit bashkëpunues, Agim Zogaj, që çuan në ngritjen e aktakuzës. Zogaj kishte dhënë deklarata të njëpasnjëshme për prokurorin dhe policinë e EULEX-it.
Rrëfimi i Agim Zogajt në prokurori fillon me përshkrimin e vrasjes së Nebojsa Djuriqiqit dhe Veljko Markoviqit, dy oficerëve policorë serbë, të cilët u mbajtën në burg në Kleçkë për një periudhë të gjatë kohe dhe të cilët i kishte ekzekutuar vetë, siç thoshte, me urdhër të Fatmir Limajt, rreth datës 4 ose 5 prill 1999.

Dëshmitari i tregoi EULEX-it për vendin e ekzekutimit – varrimit të dy trupave, të cilët më pastaj u gjenden pikërisht në vendin e përshkruar nga ai. Identitetet e tyre u vërtetuan nga një analizë e ADN’së, që u përputh me përshkrimin e dëshmitarit Zogaj. Autopsia e kryer tregon shkakun e vdekjes së këtyre dy viktimave (plagë nga të shtëna të shumëfishta me armë), gjithnjë në përputhje me tregimin Zogajt.
Zogaj tregoi se si e kishte kryer vrasjen edhe të një serbi me një kosë, për çka tregoi dy vendndodhje të mundshme të ekzekutimit dhe varrimit të tij. Në vijim, një zhvarrosje çoi në zbulimin e një varri masiv që përmbante pesë trupa. Në të njëjtin varr, u gjend po ashtu një teh prerës. Autopsia e dy mbetjeve njerëzore, tregoi si shkak të vdekjes “prerje në qafë nga një instrument i mprehtë”.

Dëshmia e siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë shpërfaq se si dëshmitari bashkëpunues Zogaj, kishte treguar se i njëjti varr masiv përmbante trupat e katër të burgosurve të tjerë serbë, të cilët ishin ekzekutuar më të shtëna kallashnikovësh. Zogaj kishte shënuar emrat dhe datat e lindjes së katër personave, tashmë trupa të pajetë. Të katër trupat u gjendën në vendndodhjen e treguar dhe identitetet e tyre u konfirmuan përmes analizave të ADN-së. Autopsia tregon se tre prej tyre ishin vrarë nga të shtëna armësh në kokë.

Ish-roja e burgut i siguroi hetuesve edhe dokumente zyrtare me origjinë nga UÇK-ja si gjykimet e gjykatës ushtarake, vendimet disiplinore, listat e të burgosurve, kërkesat me shkrim, datat e burgosjes dhe lirimit të një sërë të burgosurish të ndaluar në burgun e Kleçkës.

Të gjitha këto Zogaj i mbështeste edhe në ditarët e tij.

3. Aktakuza dhe fillimi i gjykimit
Fundi i gushtit të vitit 2011, e gjeti Fatmir Limajn dhe nëntëbashkëluftëtarët e tij në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, para gjykatësit për konfirmimin e aktakuzës.
Prokurori, në fillim të gushtit, në këtë gjykatë paraqiti aktakuzën kundër Fatmir Limajt dhe të tjerëve, duke i akuzuar të gjithë për krime të luftës kundër popullatës civile dhe të burgosurve të luftës. Më parë, prokurori kishte kërkuar paraburgim dhe arrest shtëpiak për shumicën nga të pandehurit, me përjashtim të Fatmir Limajt, i cili deri në atë kohë konsiderohej se kishte imunitet.

Në fund të shtatorit, Gjykata Kushtetuese sqaroi çështjen e imunitetit dhe vendimi i gjykatës për personat që gëzojnë imunitet ishte se ata atë e gëzonin vetëm në kohën sa e kryenin detyrën në vendin e tyre të punës, pra vetëm gjatë orarit të punës.
Rrjedhimisht, Gjykata Kushtetuese, i dha dritën e gjelbër prokurorit special Maurizio Salustro që të kërkonte arrestin shtëpiak për Fatmir Limajn. Gjykata në bazë të kërkesës së prokurorisë veproi dhe Limajt i caktoi masën e arrestit shtëpiak, duke i kufizuar kështu lirinë e lëvizjes dhe komunikimin me persona të tjerë.
Me këtë vendim, gjykata i pamundësoi Limajt që të paraqitej në Kuvendin e Kosovës dhe të merrej me çështje që i takonin si deputet i Kuvendit. Për Limajn, kjo ishte e rëndë, pasi që atij iu kufizua lira dhe komunikimi me të gjithë, me përjashtim të familjarëve.
Që në fillim të tetorit, i gjithë procesi gjyqësor para se të fillonte, përjeton një goditje të rëndë. Në Gjermani gjendet i vetëvrarë dëshmitari bashkëpunues i prokurorisë, Agim Zogaj, i njohur për procesin, si dëshmitari X.
Tutje, konfirmimi i aktakuzës ishte bërë dhe ishte caktuar kolegji i gjykatësve që do të gjykonte çështjen. Përbërje e cila ndryshoi para fillimit të seancave. Burime nga EULEX-i për Gazetën Jeta në Kosovë në atë kohë thanë se kjo ishte bërë për shkaqe personale të kryetarit të kolegjit, meqë ai do ta linte misionin, e seanca do të zgjaste.

Ndryshe ishte mendimi i mbrojtësve të pandehurve, të cilët kishin plan që në fillim të seancës së parë të kontestonin përbërjen e kolegjit, kjo pasi që kryetari i kolegjit në një seancë ndër të tjera kishte parashikuar vdekjen e Zogajt.

Më  11 nëntor 2011, filluan seancat në Rastin Kleçka.

Të gjithë të pandehurit që në fillim të procesit u deklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Kurse avokati i Limajt, Karim Khan, avokat nga Britania e Madhe i regjistruar në Kosovë vetëm për këtë rast, që në seancën e parë kërkoi shtyrjen e seancave për fundin e muajit shkurt, ose fillimin e muajit mars. E gjithë kjo me arsyen që mbrojtjes i duhej më shumë kohë për t’u përgatitur dhe se prokurori duhej t’i kompletonte të gjitha provat.
Ndërkohë, prokurori vazhdonte me hetimin dhe gjykatës e mbrojtjes i sillte deklaratat të dëshmitarëve, të cilët i merrte në pyetje në atë kohë. Ndërsa për provat thoshte se ato që kishte, i kishte dorëzuar.

Kolegji i caktoi mbrojtjes që me shkrim t’i dorëzojnë kërkesat e tyre lidhur me mungesat që kanë në prova rreth dëshmisë së dëshmitarit X dhe prova të tjera, si dhe shkaqet që kërkojnë shtyrje e seancave.
Mbrojtja në këto seanca kërkoi edhe përjashtimin e prokurorit, duke e propozuar dëshmitar, por kjo  u refuzua nga kryeprokurorja Speciale e EULEX-it.
Gjykimi vazhdoi tutje me 18 seanca në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Disa nga seancat nuk u mbajtën për shkak të gripit të gjykatëses vendase, sëmundjes së Behlul Limajt dhe kërkesave të mbrojtjes për përgatitje.
Mbrojtja, në shumicën e seancave, ishte në përbërjetë plotë. Limaj kishte dy avokatë dhe tre asistentë ligjorë, ndërsa edhe të pandehurit e tjerë kishin nga dy e një mbrojtës. Gjithsejtë në seanca merrnin pjesë 12 avokatë dhe 3 asistentë ligjorë.

3. Nazim Bllaca i rëndësishëm për rastin II

Gjatë prillit në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, nën masa të rrepta të sigurisë, u paraqit për të dëshmuar Nazim Bllaca. Dëshmitari bashkëpunues për rastin e vrasjes së Ibush Kllokoqit dhe tentimvrasjes së Adem Salihajt dhe Ismet Arifit.

Të akuzuar në këtë çështje janë: Fahredin Gashi, i dënuar me 18 vjet burgim në rastin Bllaca I, Shpresim Uka, Sadik Abazi, Driton Hajdari, Bekim Syla dhe Shaban Syla.

Gjatë këtyre seancave, dëshmitari bashkëpunues Bllaca tregoi se si ishte inkuadruar në ShIK (Shërbimi Informativ i Kosovës), se si kishin vepruar nën mbulojën Qeverisë së Përkohshme dhe se si kishin kryer krimet që ai kishte marrë pjesë.

Bllaca rrëfimin për krimet që kishte bërë ai me të akuzuarit, e filloi me vrasjen e Ibush Kllokoqi, se si kishin shkuar në shtëpinë e viktimës dhe kishin kërkuar nga ai që të dilte jashtë. Pasi që kishte dalë Kllokoqi, vetë Bllaca e kishte shkrepur armën e tij, duke e vrarë në vend. Dëshmitari bashkëpunues tregoi se si pas vrasjes, i gjithë grupi kishin shkuar për të ngrënë darkë, dhe se si vetëm pas disa ditësh ishin afruar vendit të krimit, për ta marrë armën ku e kishin lënë.

Më tej, Bllaca vazhdoi të tregonte si ishte bërë plani për kidnapimin e Ismet Arifit, për ta dërguar në një fshat te persona të caktuar. Ai tregoi se si grupi kishte dështuar ta kryente detyrën e dhënë. I njëjti shtoi se në atë aksion ishte plagosur Driton Hajdari, i cili më pas nga Azem Syla e Fatmir Xhelili ishte shpallur veteran i luftës.

Dëshmitari Bllaca tregoi tentimvrasjen Adem Salihajt, se si ata kishin mbikëqyrur Salihajn për një kohë të gjatë dhe se si në ditën kritike, kur ishte kryer aksioni, nuk kishte shkrepur arma dhe detyra nuk ishte përfunduar. Bllaca tregoi për përfshirjen e grupit në biznes, duke punuar me patundshmëri dhe biznese të tjera.

Seancat e prillit u karakterizuan me gjendjen e përkeqësuar shëndetësore të të pandehurit Fahredin Gashit, i cili sipas raporteve mjekësore vuan nga një depresion i thellë. Po ashtu në një nga seancat e muajit prill, kryetari i kolegjit e dënoi prapë avokatin Ramiz Krasniqi me 600 euro gjobë, për shkak të mospërfilljes së urdhrit të gjykatës dhe prishjes së rendit në gjykatë.

4. Gjykata pranon Dick Martyn si dëshmitar

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, në muajin prill, është mbajtur vetëm një seancë në rastin e njohur për publikun si Rasti Medicus. Të pandehurit në këtë çështje janë Lutfi Dervishi, me profesion mjek dhe profesor i urologjisë; Arban Dervishi, ekonomist i diplomuar; Driton Jilta, mjek nga komuniteti turk në Kosovë dhe ish-punëtor shëndetësor i OSBE-së në Kosovë; Ilir Recaj, mjek dhe ish-sekretar Permanent në Ministrinë e Shëndetësisë në kohën e ministrit Alush Gashit; Sokol Hajdini, Islam Bytyqi dhe Sylejman Dula, të tre  mjekë anesteziologë.

Pas kërkesës së prokurorit special, gjykata vendosi që të ftohet si dëshmitar ish-senatori zviceran, Dick Marty. Arsye e gjykatës në këtë vendim ishte që të zbulohet e vërteta, nëse ai ka pasur ndonjë lidhje ndërmjet krimeve të pretenduara nga Marty në raportin e tij dhe krimeve që po gjykohen në këtë gjykatë. Përmes raportit, ai ka pretenduar që ka informacione të rëndësishme edhe për këtë rast, gjykata do ta pyes se cilat janë ato informata dhe cilat janë burimet e tij.
Ish-senatori Dick Marty, i njohur për raportin e tij që ngre dyshime për trafikim organesh në Kosovë, i paraqitur në Këshillin e Evropës, pas vendimit, pritet të dëshmojë në rastin Medicus, i cili po gjykohet në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Marty do të kontaktohet nëse e pranon kërkesën për t’u paraqitur si dëshmitar.
Sipas kolegjit, Marty nuk hyn nën juridiksionin e Kosovës dhe nuk ka mundësi që të ftohet detyrimisht të dëshmojë. Pra dëshmia e tij varet edhe nga vullneti i dëshmitarit Marty.
Nga ana tjetër, mbrojtja kërkoi që prokuroria ta sjellë në gjuhën shqipe raportin e Martyt, kjo pasi që ju nevojitet për kohën e pyetjeve të dëshmitarit.

Gjatë kësaj seance, si dëshmitar u dëgjua Zhivko Zhivkov, i cili ishte hetues në rastin Medicus që nga korriku i 2009-së, kur edhe kishte ardhur në Kosovë për mision. Dëshmitari, i kombësisë bullgare, atë javë e përfundonte misionin në Kosovë.

Dëshmitari tregoi se, nga UNMIK-u, EULEX-i e ka pranuar lëndën në janarin e 2009-ës. Oficeri Zhivkov tregoi se si pas këtyre hetimeve kishte parë emra që përputheshin dhe se si disa persona kishin qenë dy herë në Kosovë, si rasti i Olga R. e regjistruar me datat 8 mars dhe 13 maj të 2008-ës në Kosovë. Zhivkov përmendi edhe emrat e Vera Sh. dhe të vajzës së saj Ana A., të cilat kishin udhëtuar që të dyja në Kosovë; fillimisht kishte udhëtuar nëna, pastaj e bija.
Dëshmitari para kolegjit tregoi se ka kontrolluar edhe llogaritë e Lutfi Dervishit, Ilir Recajt dhe Driton Jiltas, porse nuk ka gjetur informata të dyshimta në këto llogari.

Po ashtu, i njëjtit kishte kontrolluar edhe llogarinë e Moshe Harelit.
Pas kontrollimit dhe studimit të llogarisë, njësiti i krimeve të EULEX-it nuk kishte gjetur ndonjë transaksion ndërmjet Lutfi Dervishit dhe Moshe Harelit, dhe as  Harelit me ndonjë nga të pandehurit e tjerë.
Mirëpo ky njësit kishte gjetur se në llogarinë bankare të Moshe Harelit, në Turqi në bankën Garantis Bank, kishte transaksione të dyshimta, pasi shumat e transaksioneve fillonin nga 40,000 euro deri në 100,000 euro. Emrat e personave që kishin transferuar këto para ishin të njohura për dëshmitarin. Në seancat e majit do të dëshmojnë dëshmitarët nga Izraeli përmes video lidhjes.

5. Vazhdohet paraburgimi

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, prokurori special kishte kërkuar që të dyshuarve R.V, Xh.V, S.Q, N.Q, S.Q. A.Q, B.D, R.N dhe N.H t’iu zgjatet paraburgimi edhe për një muaj. Të njëjtit gjenden në paraburgim nga data 2 shkurt e këtij viti. Dy ishin arsyet kryesore të prokurorisë speciale që kërkonte vazhdimin e paraburgimit. E para, se ekziston rreziku i ikjes në rast të mbrojtjes në liri, dhe arsyeja e dytë është fakti se ata rrezikojnë ta vazhdojnë tutje aktivitetin e tyre me narkotikët.

Prizreni dhe Peja kishin qenë dy çerdhet e të dyshuarve nga të cilat destinacione dyshohet të jetë bërë blerja, shpërndarja, posedimi dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike, të sanksionuara këto me nenin 229, paragrafi 1 dhe 4 i Kodit Penal të Kosovës. 17.15 kg narkotikë, rreth 10 mijë euro, vetura e tipit golf 5 dhe një revole ishin konfiskuar nga polica natën e 31 janarit 2012, kur edhe ishin arrestuar të dyshuarit.

Të gjithë të dyshuarit, të cilët  u deklaruan  të pafajshëm, kundërshtuan propozimin e prokurorisë speciale për vazhdimin e masës së paraburgimit. Disa nga mbrojtësit e të dyshuarve, të cilët kundërshtuan paraburgimin, kërkuan ndonjë masë eventuale më të lehtë, si arresti shtëpiak apo paraqitja në stacionin policor, mirëpo asnjëra nuk u pranua nga gjykata. Gjykata vazhdoi edhe për një muaj paraburgimin për të gjithë të dyshuarit.

Edhe kjo seancë, u karakterizua me zvarritje dhe ndërprerje të shumta. Në mungesë të sallës, të cilat ishin të zëna, gjyqtari i procedurës paraprake u detyrua që këtë seancë dëgjimore ta mbajë në një nga kabinetet e gjykatës në kushte mjaft të vështira, ku përveç hapësirës mjaft të ngushtë dhe të papërshtatshme, kishte shumë të pranishëm që gjatë gjithë kohës, u detyruan të qëndronin në këmbë. Fillimisht gjyqtari i procedurës paraprake kishte probleme me sigurimin e të gjithë të pranishmëve të nevojshëm.
Edhe pse filloi me 30 minuta vonesë, prapë kishte probleme me palët në procedurë. Fillimisht, gjykata nuk kishte arritur të siguronte përkthyes, i nevojshëm për të akuzuarin e nëntë, i cili ishte shtetas nga Turqia. Në mungesë të përkthyesit adekuat, ai u zëvendësua më një përkthyes tjetër të gjuhës serbo-kroate, duke shkelur kështu KPPK-në.

Tutje, gjatë vazhdimit të seancës, u vërejt mungesa e njërit mbrojtës të të pandehurit, e cila është shkelje e dispozitave të KPPK-së. Me të vërejtur këtë, gjykatësi e ndërpreu seancën, derisa siguroi mbrojtësin që mungonte.

Në këtë seancë, nuk munguan as zilet e celularëve të pafikur të gjykatësit Vehbi Kashtanjeva dhe avokatit Mexhid Syla, e po ashtu mungonte vëmendja e disa prej avokatëve. Pati raste që disa i zinte gjumi.

6. Vonesa e të paditurve

Në Gjykatën Komunale në Ferizaj, në çështjen civile me numër C.nr:379/10, e caktuar të fillonte në orën 13:30, nuk filloi me kohë. Në këtë rast vonesa nuk ishte për shkak të gjykatësit apo paditësit, por për shkak të vonesës së të paditurve.
Të paditurit para gjykatësit në Gjykatën Komunale në Ferizaj, u paraqiten vetëm pas 40 minutash nga koha kur gjykatësi me aktvendim e kishte caktuar seancën.