Albin Kurti dhe Natalia Apostolova
Sonte në Emisionin “Jeta në Kosovë” u transmetuan intervistat me kryetarin e Vetëvendosje-s, Albin Kurti, dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Natalia Apostolova.
Në intervistë, kryetari i ri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, flet për herë të parë që nga dalja nga paraburgimi dhe zgjedhja e tij në krye të partisë.
Në intervistën për Jeta Xharrën, kreu i VV-së flet për zanafillën e krizës në Vetëvendosje, raportet e tij me Dardan Molliqajn dhe grupin e të dorëhequrve nga partia si dhe për Visar Ymerin e Aida Dërgutin.
Kurti gjithashtu flet edhe për qëndrimin e Vetëvendosjes rreth idesë për shfuqizimin e Gjykatës dhe nëse është i gatshëm të hedhë sërish lotsjellës në Kuvend, në rast se ringjallen temat politike të demarkacionit me Malin e Zi dhe Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Në intervistë Kurti flet edhe për reformat në Vetëvendosje si dhe përmend, për herë të parë, dukurinë e ngacmimeve në baza gjinore në parti dhe se si do ta adresojë në të ardhmen këtë problem.
Sonte “Jeta në Kosovë” transmetoi edhe intervistën me shefen e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Natalia Apostolova.
Në këtë intervistë, diplomatja europiane flet për zhvillimet e fundit në Kosovë rreth nismës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, për kushtet e paplotësuara para se Komisioni Europian t’ia largojë Kosovës regjimin e vizave si dhe planet e BE-së për ta nxjerrë nga kriza e rëndë arsimin në Kosovë pas rezultateve zhgënjyese në PISA 2015.