Konferenca për gazetarinë hulumtuese në Ballkan - Foto: Atdhe Mulla

Jeta Xharra: Gazetarët Duhet të Jenë më të Guximshëm

Drejtoresha e BIRN Kosova, Jeta Xharra, ka kritikuar gazetarët, duke thënë se të paktë janë ata që bëjnë gazetari hulumtuese.

NDËRLIDHUR

Në një konferencë rajonale të organizuar nga “Le Courrier des Balkans” me temën “Gazetaria hulumtuese në Ballkan: përvojat dhe sfidat e reja”, Xharra foli edhe për “shitjen” e disa kolegëve gazetarë.

“Kështu përkthehet në rrugë ajo çka janë duke e bërë shumë nga kolegët tanë. Duhet të jemi edhe më të guximshëm për t’i përfshirë kolegët tanë që e shesin zërin e tyre për interes të grupeve të ndryshme financiare e politike. Për atë janë krijuar mediat, si pushtet i katërt, për të qenë zë i qytetarit. Ne nuk po e bëjmë atë punë”, tha Xharra në hapje të konferencës, e cila ka mbledhur gazetarë nga rajoni i Ballkanit.

Duke folur rreth temës së presionit politik dhe financiar dhe vështirësive të bërjes gazetari hulumtuese, Jeta Xharra tha se edhe kolegët e tjerë mund të marrin mësim nga përvoja e BIRN Kosovës.

Ajo tregoi se ka pasur një fushatë 12-ditëshe kundër saj nga kryetari i Komunës së Skenderajt, mirëpo pas kësaj përvoje janë krijuar koalicione të reja.
“Në vitin 2004 e kam filluar emisionin. Sulmi i parë masiv kur jemi ballafaquar me fushatë agresive ka qenë 2009-ta. Ato 5 vite unë e kam parë se kemi krijuar koalicione me organizata joqeveritare, qytetarë dhe audiencë që përnjëherë ka qenë mbështetja më e madhe e mundur që është krijuar”, tha Xharra.

Drejtoresha e BIRN Kosova theksoi se përveç forcimit të lidhjeve, organizatave të tilla i duhen fondet por edhe mbrojtja ligjore përmes hapjes së një zyre ligjore brenda këtyre organizatave.

Ndërkaq, Artan Rama, gazetar hulumtues nga Tirana, tha se reformat në drejtësi që po ndodhin aktualisht në Shqipëri po e bëjnë gjyqësinë më të mbyllur.
“Aksesi nëpër gjykata është shumë i vështirë. Ne nuk arrijmë dot t’i fusim kamerat në mënyrë që të raportojmë në një program mediatik me video dhe problemi i dytë është shumëfishimi i tarifave gjyqësore. Kjo e fundit është shumë e rëndësishme sepse personalisht e kam paditur Komisionin për të Drejtën e Informimit 4 herë. Të 4 rastet unë i kam fituar në gjykatë. Por nëse nuk arrij dot t’i fitoj unë duhet të paguaj shumë”, tha Rama.

02 Nëntor 2017 - 15:12

Ardit Kika 02/11/2017 - 15:12
NDËRVEPRIMI0