Jeta nën Kundërmimin e Kanalizimit në Sferkë

Bllokimi i kanalizimit dhe derdhja e ujërave të zeza në sipërfaqe që një vit po i shqetëson disa banorë të fshatit Sferkë të Klinës.

Ata janë ankuar në KALLXO.com se institucionet komunale nuk po marrin masa për ta sanuar problemin.

Fisnik Gashi banor i Sferkës tha për KALLXO.com se nga era e keqe prej ujërave të zeza nuk di si do të jetojë tash kur nxehet koha.

“Qe shpija ku po shihet këtu, as nuk mundem me hëngër, as me pi, as me nejtë. Ka shpërthyer diku këtu, është gjatë 70-80 metra deri tek shpija jonë, problem nuk di ma qysh. Tash kur ngriten temperaturat unë s’di ka duam me shku na, veç mi lëshuar shtëpitë tona”, tha Gashi për KALLXO.com.

Shqetësim të njëjtë ka edhe banori tjetër i këtij fshati, Berat Gashi. Ai thotë se sikur zyrtarët komunalë vetëm pak kohë të qëndronin me banorët e fshatit, do të reagonin ndryshe.

“100 ankesa i kemi bërë. Edhe veç dy orë le të vinë ata zyrtarët e komunës e kush është përgjegjës për qet punë, le të rrinë këtu veç dy orë me familje ku po rrimë na që një vit, ta këqyrim ça po bëhet. Është marre sot kështu me ba“, tha ai.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Gjokë Lleshaj tha  për KALLXO.com se kanalizimi i fshatit Sferkë ishte zhbllokuar pak kohë më parë.

“Janë dërguar ekipet dhe janë zhbllokuar disa herë. Kam qenë edhe unë personalisht bashkë me drejtorin e urbanizmit që është nga i njëjti fshati edhe me inspektorë i kemi zhbllokuar. Por unë nuk po muj me pas të kjartë sa herë po bllokohen dhe pse po bllokohen”, tha Lleshaj .

Drejtori deklaroi më tutje se në Sferkë po ndodh bllokim i qëllimshëm i kanalizimit.

“I kemi zhbllokuar dhe çka nuk kemi gjetur aty, domethënë kanë qenë bllokime të qëllimshme. Unë nuk them tani se dikush mundet mi vuajt pasojat e dikujt tjetër, por mirëmbajtja ose pakujdesi i atyre qytetarëve është në vazhdimësi”, tha drejtori i Shërbimeve Publike .

Por Fisnik Gashi tha se nëse komuna nuk e zhbllokon kanalizimin, ai do ta betonojë pjesën ku kanalizimi po rrjedh mbi sipërfaqe të tokës.

“Nëse nuk ndërmarrin diçka në javën e fundit që kanë mu ngrit temperaturat, unë kam me ja nis me mbyll këtë kanalizim komplet me beton prej fillimit deri këtu”, tha Fisnik Gashi.

Për probleme me kanalizim nëpër fshatra të ndryshme të Kosovës KALLXO.com ka shkruar edhe më herët.

http://kallxo.com/banoret-e-prugovcit-te-shqetesuar-nga-kundermimi-kanalizimit-te-paperfunduar/

http://kallxo.com/kanalizimi-mbeti-ne-gjysme-fshataret-ankohen/