Një laborator si foto-ilustrim | KALLXO.com

‘Jeta në Kosovë’ Ndikon në Përmirësimin e Analizave në Laboratorin e Vushtrrisë

Muajin e kaluar në Emisionin “Jeta në Kosovë” u raportua se si në laboratorin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Vushtrri analiza e urinës po kryhet pa sedimentin e saj apo edhe ekzaminimin me mikroskop.

Në emision u tha se ky ekzaminim nëse nuk bëhet mund të fshihen sëmundje të shumta.

Disa javë pas emisionit në këtë qendër filloj kryerja e analizave me standarde mjekësore.

Drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë familjare në Vushtrri Luljeta Zahiti Preteni tha për KALLXO.com se emisioni ka pasur një impakt të madh.

“Emisioni e ka pasë rëndësinë e vet të pamohueshme dhe e ka shty përpara procesin. Na ka ndihmuar të gjithëve që e kemi pasë këtë shqetësim apo sfidë, po më shumë qytetarëve që marrin shërbime në laboratorin e Vushtrrisë”, tha Zahiti-Preteni.

Ajo tha se kjo analizë ka filluar të kryhet me datën 15 maj dhe po vazhdon pa asnjë problem deri me tani.

“Të gjitha analizat po kryhen me sediment të urinës, stafi është pajtuar me e kry këtë analizë, pasi që ka ardhë edhe rekomandimi nga Inspektorati i Ministrisë së Shëndetësisë i  cili ka ndihmuar në këtë drejtim me sqarime shumë profesionale të faktuara”, tha ajo.

Laborantët e kësaj qendreje refuzonin të kryenin sedimentin e analizave me arsyetimin se puna ashtu si kryhet me aparat është duke u bërë mirë.

Por profesionistët e kontaktuar nga “Jeta në Kosovë” thanë se sedimenti i urinës është një ndër faktorët kryesorë për të zbuluar sëmundje që kërkojnë trajtim të menjëhershëm.

Emisionin “Jeta në Kosovë” ku u shfaqën dy hulumtime shëndetësore mund ta ndiqni në vazhdim.

Diagnozat e Shëndetësisë