Drejtori i Internews Kosova, Faik Ispahiu, pranon çmimin e BE-së për gazetari hulumtuese - Foto: KALLXO.com

‘Jeta në Kosovë‘ Fiton Çmimin e BE-së për Gazetari Hulumtuese

Juria prej pesë anëtarësh e ka vlerësuar me çmimin e dytë emisionin “Jeta në Kosovë“ dhe ekipin e KALLXO.com për hulumtimin e titulluar “Vjedhja e organizuar tatimore”.

Pas marrjes së çmimit, Faik Ispahiu, drejtor i “Internews Kosova”, tha se edhe sot e kësaj dite rastin e udhëheq i njëjti prokuror dhe se prokurori është shpërblyer me udhëtim në Amerikë. “Sot e asaj dite presim rezultatet e hulumtimit tonë“, tha Ispahiu.

Me çmimin e parë është vlerësuar hulumtimi i Leonard Kërqukut, gazetar i “Gazetës Express”, i titulluar “Shtabi i milionerëve”.

Ndërsa, me çmimin e tretë është shpërblyer storia “Dosja e Shefave” e Vehbi Kajtazit. Gazetari Kajtazi me këtë rast tha se është i lumtur që vlerësohet për një storje “e cila ka pasur ndikim në opinionin publik”.

Kjo është hera e dytë që emisioni “Jeta në Kosovë“ fiton çmimin e BE-së për gazetari hulumtuese.

Storia e parë që e ka fituar këtë çmim ishte reportazhi për rastin “Stendat”.

Juria vlerësuese përbëhej nga Imer Mushkolaj, Anamari Repiq, Lindita Tahiri, Besa Luci  dhe Evliana Berani.

Në këtë ceremoni, Imer Mushkolaj tha se për këtë çmim në garë kanë qenë 20 storie.

Ndërsa, Luigi Brusa, shef i sektorit për bashkëpunim në Zyrën e BE-së, tha se organizata e tij është e kënaqur që përkrah njerëz të cilët përkrahin principet që i përkrah Bashkimi Europian.

Hulumtimi i KALLXO.com dhe emisionit “Jeta në Kosovë“ për vjedhjen disamilionëshe tatimore është transmetuar në tri pjesë, të cilat mund t’i gjeni në tri linqet e mëposhtme.