‘Jeta në Kosovë' dhe KALLXO.com-Çmim për Gazetari Hulumtuese me ‘Stentat’

Ekipi i emisionit “Jeta në Kosovë” dhe KALLXO.com-it fitoi çmimin e dytë të BE-së për gazetari hulumtuese.

Ekipi i përbërë nga Jeta Xharra, Qëndresa Mustafa, Mehdi Mulaj e Kreshnik Gashi këtë çmim e fituan me emisionin “Skandalet e mjekëve me stenta”.

Ky emision qe transmetuar në RTK në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa në të bëhej fjalë për disa mjekë që vendosën stenta të panevojshme nëpër zemrat e disa pacientëve që u trajtuan në disa nga spitalet private të vendit.

Çmimin e parë të BE-së për gazetari hulumtuese gjatë 2014-ës e mori gazetari i “Kohës Ditore” Vehbi Kajtazi me serinë e shkrimeve për skandalet e EULEX-it.

Çmimin e tretë e fituan gazetarët e “Zërit” Alban Selimi e Lavdim Hamidi për shkrimin “Kosova në miniaturë” që kishte të bënte me ikjen e kosovarëve drejt Suboticës, e më pas edhe drejt Hungarisë dhe vendeve tjera të BE-së.

Nehat Islami nga Këshilli i Medieve të Shkruara të Kosovës, produktet fituese gazetare i cilësoi si storje që luftuan korrupsionin.

Në garë morën pjesë 40 storje të medieve të shkruara, atyre elektronike dhe online.

Mjekët për të cilët u bë emisioni “Jeta në Kosovë” qenë arrestuar më 9 tetor 2014.