I Jepet Lamtumira e Fundit ish-Kryeministrit Rexhepi

Me nderime shtetërore është përcjellë për në banesën e fundit ish-kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi.

Në ceremoninë e varrimit ishin të pranishëm mijëra qytetarë nga Mitrovica, nga qytete të ndryshme të Kosovës dhe më gjerë.

Po ashtu, në varrimin e kryeministrit të parë të zgjedhur të Kosovës ishin edhe presidenti Hashim Thaçi, kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i pari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ministra, kryetari i BDI-së në Maqedoni, Ali Ahmeti, etj.

Bajram Rexhepi është varrosur në varrezat në Shipol të Mitrovicës një ditë pas vdekjes së tij në një spital në Turqi, ku ishte dërguar për kurim pas një sulmi në tru të pësuar në muajin prill, pas të cilit ai kishte rënë në komë.

Në nderim të jetës dhe veprës së ish-kryeministrit dhe ish-kryetarit të Mitrovicës, presidenti Hashim Thaçi ka shpallur ditën e sotme ditë zie në Kosovë.