Qeveria e Kosovës | Foto: KALLXO.com

Jepet Fjala Përfundimtare në Padinë ndaj Zyrës së Kryeministrit

Avdi Shala ka paditur Zyrën e Kryeministrit të Kosovës në Gjykatën Themelore të Prishtinës me arsyetimin se nuk i është vazhduar mandati – anëtar i Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike (KHAIA), gjegjësisht inspektor i operimeve, ashtu si parashikojnë dispozitat ligjore në fuqi.

Shala është duke kërkuar anulimin e këtij vendimi dhe mbulimin e dëmeve të shkaktuara nga data e njoftimit për mosvazhdim të mandatit, e deri në ditën e fillimit aktiv të punës.

Në seancën e së premtes, paditësi Shala ka deklaruar se qëndron në tërësi pranë pohimeve të paraqitura dhe është arsyetuar sa i përket faktit se përzgjedhja e tij në konkurs nuk është bërë për shkak të mosnostrifikimit të diplomave të Gjermanisë.

“E përsëris se kërkesën për nostrifikim e kam paraqitur në vitin 2009, ndërsa e kam kuptuar se nostrifikimin e diplomës është bërë në vitin 2014, ndërsa mua nuk më kanë njoftuar nga Ministria e Arsimit. Kjo nuk është argument sepse kjo del dobësi e institucioneve tona dhe për më tepër nuk e di sa ka qenë ky kusht”, tha Shala.

Po ashtu në plotësimin e padisë, Shala ka theksuar se edhe pse nuk e kishte pasur diplomën e nostrifikuar, komisioni e kishte ftuar në intervistë.

“Komisioni i cili ka bërë përzgjedhjen e konkurrentëve për intervistim e ka cilësuar si të kompletuar dokumentacionin tim, përndryshe nuk do të më kishte ftuar në intervistë fare”, ka shkruar Shala.

Ndërkaq, përfaqësuesi ligjor i Zyrës së Kryeministrit, Mazrekaj, ritheksoi se është detyrim i kandidatit ta dorëzojë dokumentacionin e shteteve të tjera të nostrifikuar.

“Edhe njëherë po e potencoj se pala paditëse nuk i ka plotësuar kushtet e veçanta, respektivisht në kuptim të përgatitjes profesionale për ushtrimin apo kryerjen e këtyre punëve për faktin se dokumentacioni në këtë drejtim ishte i panostrifikuar”, tha Mazrekaj.

Në fjalën përfundimtare, paditësi Shala theksoi se nga të gjithë kandidatët të cilët kishin aplikuar dhe janë marrë në intervistë, Shala kishte qenë më i kualifikuari.

“Nga provat e administruara është vërtetuar që procedura për emërimin e kandidatëve është e parregullt dhe se në raport me kandidatët tjerë, duke u bazuar në standardet ndërkombëtare të aplikueshme të fushës dhe në Republikën e Kosovës i kam plotësuar të gjitha kriteret të jem hetues dhe të gjitha diplomat që i kam janë të barasvlershme dhe se unë jam përgatitur sikur të gjithë hetuesit e tjerë në shtetet e zhvilluara për të qenë hetues i aksidenteve ajrore. Në raport me mua, kandidatët e tjerë nuk kanë plotësuar asnjë kriter”, tha Shala.

Në bazë të padisë, përkundër faktit se paditësi Shala i ka përmbushur kriteret për zgjatjen e mandatit, qeveria e ka shpallë e rishpallë katër herë radhazi konkursin për pozitën e tij dhe pesë herë radhazi pozitën inspektor i inxhinierisë, ku Shala kishte konkurruar në të njëjtën kohë.

E kandidatët e zgjedhur të KHAIA-s, sipas padisë, nuk kanë përvojë në fushën e aviacionit.

Por përfaqësuesi ligjor i Zyrës së Kryeministrit, Mazrekaj, e kundërshtoi padinë e Avdi Shalës duke e quajtur të pabazuar.

“E kundërshtoj padinë dhe kërkesë-padinë si të pabazuar për arsye se pala e paditur në tërësi i ka aplikuar normat materiale që e rregullojnë këtë fushë të jetës me rëndësi të veçantë për Republikën e Kosovës dhe normat procedurale të parapara me Ligjin e Shërbimit Civil dhe aktet nënligjore të kësaj fushe, gjendje kjo e argumentuar me vendimin Nr.05/13, datë 12.02.2015, i cili është i nënshkruar nga kryeministri i RKS-së”, tha Mazrekaj.

Për vendimin gjyqtarja Hunaida Pasuli do t’i njoftojë palët me shkrim në ditët në vijim.

KALLXO.com ka shkruar për këtë gjykim edhe më herët.

http://kallxo.com/padi-kunder-zyres-se-kryeministrit/