Pamje nga seanca e sotme e gjykimit për vrasjen në autobus - Foto: KALLXO.com

Vrasja në Autobus, Tash Pritet Vetëm Vendimi i Gjykatës

Në rigjykimin për vrasjen e Qamil Hotit, vrasje që ka ndodhur në vitin 2009 pas një përleshje në një autobus në mes të familjeve Hoti e Duriqi, është dhënë fjala përfundimtare.

Prokurorja e çështjes, Fitore Sadikaj, deklaroi se qëndron në tërësi pranë fjalës përfundimtare të paraqitur gjatë shqyrtimit të kaluar gjyqësor.

Edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Osman Mehmeti, deklaroi se e përkrah fjalën përmbyllëse të prokurores dhe se qëndron në tërësi pranë fjalës përfundimtare të paraqitur gjatë shqyrtimit të kaluar gjyqësor. Po ashtu, ai paralajmëroi se do të paraqesin edhe kërkesë pasurore juridike.

Kurse mbrojtësi i Fehmi Duriqit, avokati Muhamet Humolli, tha se i mbrojturi i tij ka vepruar në rrethana të mbrojtjes së domosdoshme për shkak të sulmit të papritur prandaj, sipas tij, për këtë shkak ai është i liruar nga përgjegjësia penale andaj kërkoi nga trupi gjykues që ndaj të mbrojturit të tij të nxjerrë aktgjykim lirues.

“Ky është rasti konkret ku i mbrojturi im ka vepruar në suaza dhe rrethana të mbrojtjes së nevojshme. Motivi pse ka shtënë në të ndjerin ishte për ta mbrojtur jetën e tij nga sulmi i atyqasshëm pasi që në ditën kritike ia kanë zënë rrugën, e kanë sulmuar me mjete të rrezikshme. Duke i pasur parasysh të gjitha këto rrethana konsideroj se i mbrojturi im ka vepruar në kuadër të mbrojtjes së nevojshme, gjë që e përjashton përgjegjësinë penale”, deklaroi avokati Humolli.

Edhe mbrojtësi i Milaim Hotit, avokati Haxhi Millaku, tha se Prokuroria përkundër sugjerimeve nga Gjykata e Apelit nuk ka mundur që t’i vërtetojë mirë faktet e natyrës vendimtare, në lidhje me veprimet të cilat pretendohet se i ka ndërmarrë i mbrojturi i tij. Andaj kërkoi nga trupi gjykues që në mungesë të provave të nxjerrë aktgjykim lirues.

“Përshkrimi faktik në aktakuzë nuk vërtetoi veprimet, mjetin, mënyrën që janë elementet qenësore për figurën dhe cilësimin e veprës që Milaim Hotit i ngarkohet. Askund nuk është përshkruar veprimi individual i tij, se i njëjti rrezikon jetën e pjesëmarrësve në këtë rrahje”, tha avokati Millaku.

E avokatja Merita Bajraktari, e cila në këtë rast e mbron Isuf Hotin, kërkoi nga gjykata që në mungesë të provave të nxjerrë aktgjykim lirues ndaj klientit të saj duke shtuar se klienti i saj ka vepruar në vetëmbrojtje pasi që ka qenë i sulmuar.

“E tëra ka ndodhur kur i mbrojturi im është sulmuar dhe ka reaguar si pasojë e detyrimit dhe nevojës për mbrojtje të pjesëve të trupit të tij. I mbrojturi im përherë është ankuar se në këtë përleshje dhe vetë ka qenë i lënduar”, tha avokatja Merita Bajraktari.

Kurse avokati Mentor Neziri tha se me asnjë provë nuk është arritur të dëshmohet se klienti i tij e ka  kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

“Nga të gjithë dëshmitaret, pala e dëmtuar si dhe nga të akuzuarit nuk është përshkruar asnjë veprim i vetëm inkriminues, nuk është vërtetuar në asnjë mënyrë që i mbrojturi im e ka krye veprën penale për të cilën akuzohet”, tha avokati Neziri.

Aktgjykimi do të shpallet më 8 shkurt.

Në bazë të aktakuzës së ngritur në vitin 2010, ngjarja kishte ndodhur në fshatin Ribar i Madh, komuna e Lipjanit, kur familja Hoti vendosi të hynte në autobusin ku gjendej familja Duriqi me pistoletë e shufra hekuri në dorë.

Të akuzuarit Fadil dhe Xhezair Hoti në momentin e hyrjes në autobus kishin qenë të armatosur me armë zjarri dhe dy të pandehurit e tjerë Bedri dhe Milaim Hoti kishin me vete shkopinj druri, i akuzuari Isuf Hoti sqepar për heqjen e gozhdëve, ndërsa i akuzuari tjetër Admir Hoti shufër hekuri.

Në autobus gjendej i akuzuari Fehmi Duriqi së bashku me axhën e tij Ramadanin, vëllain Mentorin dhe motrën Elbasane Duriqi.

Sipas aktakuzës, i pari që kishte hyrë në autobusin ku gjendej familja Duriqi, ishte i akuzuari Fadil Hoti i cili me armë në dorë kishte thënë “zbritni poshtë,” duke iu referuar familjes Duriqi, si dhe kishte filluar të gjuante me armë zjarri në drejtim të këmbëve të Ramadan Duriqit.

Në ndërkohë, të akuzuarit e tjerë Bedri, Milaim, Isuf dhe Admir Hoti kanë filluar të godasin anëtarët e tjerë të familjes Duriqi, Mentorin dhe Elbasanen.

Më tutje, i akuzuari Fehmi Duriqi kishte nxjerrë pistoletën të cilën e mbante pa autorizim dhe kishte shtënë në drejtim të këmbëve të të akuzuarit Fadil Hoti, e më pas në drejtim të Qamil Hotit, i cili gjendej në autobus.

Viktimë e këtyre të shtënave ishte edhe udhëtari i rastit Enver Hoti, i cili pësoi lëndime të rënda trupore.

Më pas, nga dera e pasme e autobusit kishte hyrë Xhezair Hoti, i cili i kishte drejtuar pistoletën në gjoks të dëmtuarit Mentor Duriqi, por ky i fundit kishte arritur t’ia ulte pistoletën poshtë, me ç’rast i akuzuari kishte shkrepur në drejtim të këmbëve të të dëmtuarit Mentor Duriqi.

I pandehuri Fehmi Duriqi akuzohet për vrasje të rëndë dhe mbajtje në pronësi të paautorizuar të armëve.

Të akuzuarit Fadil, Bedri, Milaim, Xhezair, Isuf dhe Admir Hoti ngarkohen për vrasje në tentativë në bashkëkryerje, ndërsa të akuzuarit Fadil dhe Xhazair Hoti për mbajtje në pronësi të paautorizuar të armëve.

http://kallxo.com/gjykimi-shtatevjecar-vrasjen-ne-autobus/

Ndaj të akuzuarve Fadil e Xhezair e Bedri Hoti, të cilët ndodhen në arrati, Gjykata e ka veçuar procedurën penale dhe njëherit ka lëshuar urdhër-arrest.