Jepet Fjala Përfundimtare në Gjykimin për Vrasjen e Vitit 2003

Në gjyqin për vrasjen e Burim Sejdiut më 2003 në Grabanicë të Klinës palët kanë dhënë fjalën përfundimtare.

Prokuroria e rastit, Valbona Disha-Haxhosaj, tha së qëndron në tërësi pranë aktakuzës, sipas të cilës i akuzuari Veton Syla e kishte kryer këtë vrasje.

“Deklaroj së mbetem në tërësi pranë aktakuzës, përshkrimit faktik dhe juridik të veprave penale. I propozoj trupit gjykues që të akuzuarin ta shpallë fajtor, ta dënojë sipas ligjit si dhe ta obligojë në kompensimin e shpenzimeve të procedurës penale”, deklaroi prokurorja.

Në fjalën e saj përfundimtare prokurorja tha se Veton Syla kishte kërkuar detyrime nga Ramë Sejdiu që kishte një depo në fshatin Grabanicë.

Ajo theksoi se dy herë është sulmuar depoja dhe pronarit të saj, Ramë Sejdiu, nga viti 2000 i janë dërguar letra kërcënuese, ku i kërkohej të paguante detyrime në vlera prej 31 mijë markave gjermane ose, përndryshe, do ta pësonte me jetë djali i tij Burimi.

Sipas prokurores provat dhe deklaratat e dëshmitarëve kanë vërtetuar se Veton Syla e kishte vrarë me armë zjarri Burim Sejdiun në depon e tij në natën  e 19 majit të vitit 2003.

“Si rrjedhojë e këtyre detyrimeve, shantazheve, kërcënimeve me datë 19.5.2003, rreth orës 23:00 në fshatin Grabanicë, komuna e Klinës, pikërisht në depon e mallrave “Rabi”, i akuzuari Veton Syla me dashje dhe për motive të dobëta me armë “AK-47” e ka privuar nga jeta viktimën Burim Sejdiu, i cili në ato momente ka qenë duke punuar në depon tij”, tha Haxhosaj.

Në fjalën përfundimtare, Ramë Sejdiu, në cilësinë e të dëmtuarit dhe avokati i tij, Haxhi Çekaj, thanë së pajtohen dhe mbështesin fjalën përfundimtare të prokurores.

Kurse, avokati i të akuzuarit Veton Syla, Hamdi Jashanica, në fjalën e tij përfundimtare kundërshtoi aktakuzën duke e cilësuar të pabazë, të paargumentuar dhe të ngritur në bazë të supozimeve.

“Mbrojtja edhe në kundërshtimet e mëhershme që i ka dhënë gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor rreth ekzistimit të veprave penale edhe sot pretendojmë pa mëdyshje që prokuroria gjatë hetimit nuk ka arritur t’i eliminojë dilemat dhe paqartësitë dhe e tëra ka mbetur në nivel të supozimeve e të cilat u konstatuan edhe gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, ashtu që aktakuzën këto paqartësi e bëjnë të parregullt, pa bazë dhe në tërësi joligjore”, tha avokati i Veton Sylës.

Avokati Jashanica tha së asnjë provë në vendin e ngjarjes nuk është  marrë nga prokuroria që vërteton që i akuzuari Veton Syla ka kryer vrasjen.

E vetë i akuzuari, Veton Syla, në fjalën e tij përfundimtare tha se depo ishte sulmuar dy herë por nuk është vërtetuar nga prokuroria se kush e ka sulmuar atë dhe kush ka qenë cak i sulmeve. Ai tha së aty punonte edhe djali i axhës së tij.

Tutje Veton Syla tha se nuk ndjehet fajtor për vrasjen e Burim Sejdiut dhe nuk i ka shkruar letrat që kanë shkuar Ramë Sejdiut.

Ai tha së nëse Gjykata e Strazburgut vërteton do jap llogari duke bërë vetëvrasje.

Syla tha se ka vërejtje në prokuroren sepse kur ishte marrë në pyetje në seancën e jashtëzakonshme prapa tij kanë qëndruar Ramë e Kushtrim Sejdu. Ai tha se do dëshmonte për vrasjen e Shaqir Krasniqit pikërisht që ka të bëjë me Ramë e Kushtrim Sejdiun.

I akuzuari tha se Ramë Sejdiu ia kishte vrarë babanë në vitin 2008 në mënyrë mizore, kurse më 2007 kishin tentuar ta vrasin edhe atë.

“Arsyeja pse Rama ma montoi ketë proces gjyqësor është se ma vrau babën në moshën 70-vjeçare në mënyrën ma mizore”, tha Syla

Avokati i Ramë Sejdiut, Haxhi Çekaj, kërkoi nga trupi gjykues që të ndërmerren veprimet e caktuara që të vërtetohet ajo çfarë pretendon i akuzuari ose për deklarim të rrejshëm.

Seanca e ardhshme u vendos të mbahet më 30 janar.