Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Jepet Fjala Përfundimtare në Gjykimin e Xhevahire Vatovcit

Është dhënë fjala përfundimtare në gjykimin ku Xhevahire Vatovci, ish-zyrtarja e prokurimit në Policinë e Kosovës akuzohet për keqpërdorim detyre.

Të dyja palët fjalën përfundimtare e kishin dorëzuar me shkrim, mirëpo në pika të shkurtra e elaboruan me fjalë.

Prokurori i shtetit Ibrahim Berisha deklaroi se gjatë gjykimit është argumentuar që policia është dëmtuar nga tenderi për furnizim me derivate.

“Konsideroj se prokuroria ka ofruar prova që janë lexuar nga ana e gjykatës, duke i ndërlidhë të gjitha provat në aspektin ligjor dhe logjik ku është dëmtuar Policia e Kosovës me një shumë prej 280.370,91 euro. Propozoj që të pandehurën ta shpallë fajtore dhe ta dënojë në bazë të ligjit”, tha prokurori Berisha.

Ndërsa mbrojtësi i të dëmtuarës Xhevahire Vatovci avokati Blerim Prestreshi tha se ekspertiza financiare dëshmon të kundërtën e asaj që pretendon prokuroria.

‘’Prokuroria nuk ka angazhuar ekspertizë financiare por gjykata, e cila ekspertizë financiare thotë të kundërtën e asaj çka thotë prokuroria, ‘është komforn Ligjit të Prokurimit Publik si dhe në përputhje të dispozitave të dosjes së tenderit dhe se nuk ka shkelje te dispozitave ligjore’ thuhet në ekspertizë. Kjo është deserti i gjithë këtij procesi gjyqësor”, tha avokati Prestreshi, duke i propozuar trupit gjykues të marrë aktgjykim lirues ndaj të mbrojturës së tij.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 27 prill .

Ish-Prokuroria e Qarkut në Prishtinë më datën 17 tetor 2011 ka ngritur aktakuzë ndaj Xhevahire Vatovcit duke e akuzuar se në cilësinë e zyrtares së Zyrës së Prokurimit në Policinë e Kosovës dhe si kryetare e komisionit për vlerësim, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për ndërmarrjen private “HIB Petrol” SH.P.K. nga Ferizaj ka shpërdorur pozitën zyrtare dhe ka tejkaluar autorizimet zyrtare duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik në Kosovë.

Sipas aktakuzës, “HIB Petrol” SH.P.K në bazë të derivateve të shpenzuara gjatë periudhës 06 prill 2009 deri 31 dhjetor 2010 ka përfituar shumën prej 280.370,91 euro, shumë kjo me të cilën ka dëmtuar buxhetin e Policisë së Kosovës.

Në seancën e kaluar Xhevahire Vatovci deklaroi  se nuk do ta lejonte asnjë operator ekonomik të përfitonte në dëm të Policisë së Kosovës.

http://kallxo.com/vatovci-nuk-ta-lejoja-pasurimin-ne-dem-te-policise/

KALLXO.com e ka ndjekur edhe më herët këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/takimi-eulex-shtyn-seancen-per-ish-zyrtaren-e-prokurimit-te-policise/

http://kallxo.com/pjesetari-policise-deshmon-ne-gjykimin-e-ish-koleges/