BE përkrah Ministrinë e Drejtësisë rreth Kodit Civil - Foto: Rtv21

BE Jep mbi 2 Milionë Euro për Kodin Civil të Kosovës

Ministria e Drejtësisë dhe Zyra e BE-së në Kosovë kanë lansuar projektin “Mbështetje Kodit Civil, faza 2”, ku në këtë ceremoni është thënë se ky projekt do të ketë koston prej 2.3 milionë euro e që është financim nga BE-ja.

NDËRLIDHUR

Objektivi i përgjithshëm i këtij projekti u tha të jetë përmirësimi i standardeve të sektorit gjyqësor në Kosovë dhe vazhdimi i përkrahjes së BE-së për modernizimin dhe harmonizimin e kornizës ligjore për çështjet civile.

Me këtë rast, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova bëri të ditur se projekti do të ketë koston prej 2.3 milionë euro, ndërsa shtoi se BE vazhdon të mbështesë Ministrinë e Drejtësisë për të finalizuar Kodin Civil gjithëpërfshirës dhe të avancuar për Kosovën.

Ajo po ashtu tha se ky ligj Kosovën do ta afrojë më afër BE-së.

Sipas saj, projekti do të sigurojë që kodi civil të jetë i qartë dhe të jetë i qasshëm nga të gjithë personat në Kosovë.

Ndërsa, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se po inicion konkretisht realizimin e një prej zotimeve të tij për qytetarët e Kosovës, organet e drejtësisë dhe zbatimit të ligjit.

Sipas tij, shumë shpejt do ta kenë në dispozicion një kod civil që do të definojë marrëdhëniet e fushës civile dhe që do të gjejë zbatim në praktiken juridike të Kosovës.

Ministri Tahiri tha se Ministria që drejton është e vetëdijshme se angazhimi i hartimit të këtij kodi është projekt mjaftë ambicioz, megjithatë sipas tij tash rruga është e qartë dhe qasja është vendosur.

Ndërkaq, eksperti i grupit punues për hartimin e kodit, Haxhi Gashi paraqiti atë se çfarë do të përmbajë ligji. Po ashtu, ai bëri të ditur se struktura e Kodit Civil do të jetë sipas modelit të kodit civil gjerman.

Projekti është financuar nga Bashkimi Evropian dhe kohëzgjatja e projektit është 36 muaj, shkurt 2017 deri në janar 2020. /21Media

12 Tetor 2017 - 15:09

RTV 21 12/10/2017 - 15:09
NDËRVEPRIMI0