Deputeti i PS për qarkun e Lezhës, Armando Prenga.

Jep Dorëheqjen Deputeti Prenga

Nëpërmjet një letre adresuar më 25 shkurt kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, Prenga ka dhënë dorëheqjen duke nënvizuar se ai kishte zgjedhur të dorëzonte mandatin për qetësinë e familjes së tij.

Prokuroria e Përgjithshme pati njoftuar javën e kaluar se nga verifikimi i të dhënave brenda dhe jashtë Shqipërisë për deputetin Prenga ka rezultuar se ai nuk ka deklaruar precedentët penalë në Itali në vitet 1996-1997, si dhe një vendim të formës së prerë të gjykatës së Kurbinit në Shqipëri, në të cilin është dënuar me gjobë për “falsifikim dokumentesh”.

Në bazë të këtyre të dhënave, Prokuroria deklaroi se Prenga është “në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit, në bazë të Ligjit për Verifikimin e Integritetit të Personave që Zgjidhen, Emërohen ose Ushtrojnë Funksione Publike”.

Të enjten, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ, vendosi ta refuzojë kërkesën e Prokurorisë për heqjen e mandatit të Prengës, duke kërkuar informacion shtesë nga organi i akuzës.

Ligji për Verifikimin e Integritetit të Personave që Zgjidhen, Emërohen ose Ushtrojnë Funksione Publike, i njohur si ligji i dekriminalizimit të politikës dhe administratës publike, u miratua në fund të vitit 2015 me kompromis në Kuvendin e Shqipërisë pas ankesave të shumta të Partisë Demokratike në opozitë për praninë e personave me precedentë të rëndë penalë në Kuvendin e Shqipërisë, zgjedhur më së shumti nga listat shumemërore të Partisë Socialiste.

Në bazë të Ligjit, personat që kanë kryer vepra të rënda penale, si trafik i qenieve njerëzore apo trafik droge, ndalohet të marrin poste të larta publike ndërsa ata që i kanë, e humbin mandatin. Por përveç kësaj, ligji parashikon detyrimin e zyrtarëve për të deklaruar episodet penale të jetës së tyre pavarësisht nëse këto episode përbëjnë apo jo shkak për humbjen e mandatit. Dështimi në deklarimin e rasteve të dënimeve apo të arrestimeve sjell heqje të mandatit dhe përbën vepër penale.

Deri tani, dy deputetë dhe një kryebashkiak janë kapur sakaq nga ligji, ndërsa Prokuroria thotë se është në proces verifikimi të shumë rasteve të tjera. Prenga pati deklaruar në formularin e tij vetëm veprat penale të armëmbajtjes pa leje dhe të plagosjes, për të cilat aktualisht është nën hetim ndërsa Prokuroria thotë se nuk ka deklaruar probleme të tjera me drejtësinë në Shqipëri dhe në Itali.