Prokurori Visar Musa | Foto: Nga videoja e "Drejtësisë në Kosovë"

Jep Dorëheqje Prokurori që Drekoi me të Akuzuarin

Rastin e drekës së prokurorit Visar Musa me të akuzuarin Raif Rama e shfaqi ekskluzivisht nga fundi i tetorit emisioni “Drejtësia në Kosovë”.

Lajmin për paraqitjen e dorëheqjes nga prokurori Musa disa javë pas shfaqjes së emisionit, për KALLXO.com e konfirmoi zëdhënësi i Këshillit Prokurorial të Kosovës Ekrem Lutfiu.

“Z. Visar Musa ka paraqitur dorëheqjen në Këshillin Prokurorial të Kosovës,” thuhet në përgjigjen e Lutfiut për KALLXO.com.

Në përgjigje gjithashtu bëhet e ditur se dorëheqje e prokurorit Musa do të shqyrtohet në mbledhjen e radhës të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” solli reportazhin hulumtues për takimet sekrete në mes prokurorit të Ferizajt Visar Musa me të akuzuarin Raif Rama.

Sipas dëshmive të shfaqura në emision, prokurori i cili po hetonte tre vëllezërit Rama është ulur dhe ka drekuar me njërin  nga këta vëllezër.

Në takimin i cili është mbajtur në njërin nga restorantet e Ferizajt ka qenë i pranishëm edhe gjykatësi Adem Shabani, përgjegjës i degës së gjykatës së Shtërpcës.

Në intervistë për “Drejtësia në Kosovë”, pala e dëmtuar në këtë rast Afrim Matoshi, ka paraqitur dyshime serioze për ndikime të mundshme në rastin e tij pas drekës së prokurorit me të akuzuarin.

Prokurori i Rastit Visar Musa në intervistë për “Drejtësia në Kosovë” mohoi se ishte në dijeni se po takohej me të akuzuarin, por sqaroi se takimi ishte iniciuar nga gjykatësi Shabani që ka miqësi me të akuzuarin Rama.

Takimi u konfirmua edhe nga gjykatësi Adem Shabani, por ai duke e pranuar se të akuzuarin Rama e ka të afërm, tha se qëllimi i takimit nuk ishte ndikimi në prokurorin Musa.

‘Dreka e Gabuar’ e Prokurorit me të Akuzuarin

Të gjitha raportimet lidhur me këtë rast mund t’i lexoni këtu.