Nexhat Demaku, ish-Kryetar i Drenasit

Jep Dorëheqje Kryetari i Drenasit, Reagon PDK

Kryetari i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku, ka zyrtarizuar dorëheqjen e tij nga pozita e Kryetarit të Komunës, një ditë pasi Gjykata e Apelit ia vërtetoi dënimin për krime të luftës.

Demaku në një konferencë lidhur me këtë dorëheqje ka thënë se arsyet për dorëheqjen e tij janë të njohura, ndërsa falënderoi qytetarët e komunës për besimin e tyre.

Dorëheqja e Demakut nënkupton që Drenasi duhet t’i nënshtrohet zgjedhjeve të reja për kryetar të komunës në kohën kur mandati aktual i kryetarit duhej të skadonte pas një viti.

Demaku ka qenë kryetar i komunës së Drenasit për tre mandate rresht, që nga viti 2007.

“Dua të falënderoj të gjithë qytetarët e komunës së Drenasit për besimin që më dhanë si dhe përkrahjen e bashkëpunimin e ndërsjellë për të përmirësuar dhe rritur mirëqenien sociale të popullatës së komunës. Ishim të pandarë në luftë dhe në qeverisjen e përbashkët, në gëzime e hidhërime, prandaj shpresoj se do shihemi dhe t’u gëzohemi bashkërisht hapave tjerë të zhvillimit të komunës sonë”, ka thënë Demaku.

Vitin e kaluar, Demaku u dënua me 3 vjet burg pasi u gjet fajtor në akuzat për për keqtrajtim të të ndaluarve në Likovc gjatë luftës.

Gjykata e Apelit gjatë ditës së djeshme kishte sjellë aktgjykimin në rastin “Drenica 2”, me të cilin ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë të datës 27 maj 2015.

http://kallxo.com/apeli-konfirmon-denimet-ne-rastin-drenica-2/

Ndryshimi i vetëm i kësaj aktakuze është ulja për një vit e dënimit të të akuzuarit Sylejman Selimi.

Në anën tjetër një reagim ndaj rastit të dënimit në Grupin e “Drenica 2” e ka bërë edhe dega në Drenas e Partisë Demokratike të Kosovës, parti të cilës i përket Demaku.

Kjo parti u shpreh e shqetësuar ndaj rastit të dënimit në Grupin e Drenica II shpreh pakënaqësi me rastin e dënimit të Gjykatës së Apelit ndaj grupit Drenica 2.

http://kallxo.com/sylejman-selimit-edhe-tete-vjet-burg-ne-drenica-2/

“Mendojmë që ky vendim i kësaj gjykate është i montuar politikisht dhe për qëllim ka denigrimin e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dega e PDK-së në Drenas nuk pajtohet me këto vendime të qëllimshme që kanë për objektiv degradimin dhe njollosjen e luftës së lavdishme të UÇK-së që për synim kishte vetëm çlirimin e vendit nga regjimi serb”, thuhet në reagimin e PDK-së.

PDK ka thënë se drejtësia në Kosovë “po vazhdon të jetë e ndikuar nga Serbia”.

“Rasti i dënimit ndaj vëllezërve Demaku dhe të tjerëve është i motivuar nga politika dhe këto vendime plotësojnë edhe apetitet e pangopura të Serbisë e cila po vazhon fatkeqësisht që vizuelisht të ndikojë në drejtësinë e vendit tonë, ndërsa kjo e fundit po mundohet që përmes këtyre dënimeve, pa asnjë fakt, të barazojë fajin ndërmjet luftës së Kosovës dhe atë të Serbisë”, thuhet në reagimin e PDK-së.