Jep Dorëheqje Kryeministri Ukrainas

Kryeministri ukrainas Arseniy Yatsenyuk ka njoftuar sot gjatë një fjalimi televiziv se ka dhënë dorëheqje nga posti i tij.

“Kam marrë vendim për të dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit të Ukrainës. Të martën, më 12 prill, unë do t’ia paraqes dorëheqjen Parlamentit”, ka thënë ai, njofton agjencia “Reuters”.

“Vendimi im bazohet në shumë arsye: kriza artificiale politike që ka shpërthyer në Qeveri, vullneti për të ndërruar një person i cili ka verbuar zyrtarët politikë dhe ka paralizuar vullnetin e tyre për të bërë ndryshime të njëmendta në vend”, ka thënë po ashtu i pari i Qeverisë ukrainase.

Sipas agjencisë “Reuters”, Volodymyr Groysman do ta zëvendësojë atë në postin e kryeministrit.