Flamur Sefaj, ministër i Punëve të Brendshme. Foto: Facebook

Javën që Vjen Premtohet Publikimi i Vendimeve të Ministrit

I pari i Ministrisë së Punëve të Brendshme Flamur Sefaj i cili mori mandatin në shtator të vitit të kaluar, ka marrë disa vendime për të cilat ka folur, por nuk i ka publikuar si dokumente në ueb-faqen e kësaj ministrie.

Në uebfaqen  zyrtare të MPB-së, sektori i vendimeve të ministrit është i zbrazët, edhe para se të ishte Sefaj ministër, e edhe pasi që mori këtë detyrë.

KALLXO.com ka kërkuar nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme të ketë qasje në këto dokumente, gjë e cila i është lejuar.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Zyra e Informimit të MPB-së, ka thënë se linku për vendime është krijuar, por ka probleme teknike me të.

“Sipas kërkesës tuaj bashkangjitur gjeni vendimet e ministrit. Po ashtu po ju njoftojmë se linku në webfaqe për vendimet është i krijuar, por pasi kemi ndryshuar webfaqen për shkaqe teknike nuk janë vendosur, po do të vendosen në të ardhmen”, thuhet në përgjigjen e MPB-së, drejtuar KALLXO.com.

Më tutje në përgjigje thuhet se në fund të javës së ardhshme do të vendosen të gjitha vendimet që ka marrë ministri Sefaj.

KALLXO.com do t’u shpalosë disa vendime të marra nga i pari i MPB-së.

Pak pasi mori mandatin si ministër i MPB-së, Flamur Sefaj në dhjetor të vitit të kaluar mori vendim që të lejohen mjetet monetare për mbështetjen e familjeve të zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës.

Të drejtën për këtë mbështetje e kanë pasur 17 familje të zyrtarëve policorë që ranë duke kryer detyrën.

Vlera e kësaj mbështetjeje sipas vendimit ka qenë 1 mijë euro.

Një vendim tjetër i ministrit Sefaj është edhe ai i datës 7 shkurt të këtij viti, kur ai vendosi që të ndahen mjete monetare prej 109 mijë e 310 euro për kompensimin e shpenzimeve të Kryqit të Kuq të Kosovës për implementimin e projektit “Furnizimi me Pako Ushqimore, Higjienike e Materiale për Familjet e Riatdhesuara në Nevojë”, gjatë vitit 2016.

Projekti më lart është implementuar nga Kryqi i Kuq i Kosovës, bazuar në marrëveshjen e bashkëpunimit të nënshkruar ndërmjet MPB-së dhe KKK-së me datën 28 janar të vitit 2016.

Disa vendime të tjera të marra nga ana e ministrit Sefaj janë edhe emërimet e grupeve punuese për hartimin e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme në periudhën 2019-2021.

KALLXO.com ka shkruar edhe në lidhje me vendimet e “fshehta” të një ministrie tjetër- Ministrisë së Arsimit.

http://kallxo.com/vendimet-e-fshehura-te-ministrit-te-arsimit-publikohen-se-shpejti/