Pamje nga seanca e sotme inauguruese e Kuvendit Komunal të Mitrovicës - Foto: Facebook

Japin Betimin Kryetari Bahtiri dhe Asamblistët e Rinj të Mitrovicës

Sot është mbajtur mbledhja inauguruese e Kuvendit Komunal të Mitrovicës, në të cilën dhanë betimin kryetari i Komunës dhe asamblistët e rinj, të zgjedhur për një mandat katërvjeçar.

Para këshilltarëve të rinj dhe të ftuarve të tjerë, kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka dhënë betimin e tij si kryetar komune edhe për një mandat.

Me këtë rast  hapjen e seancës e bëri kryetari Bahtiri, i cili i përgëzoi të gjithë asamblistët për fushatën dinjitoze si dhe për besimin e marrë për të përfaqësuar qytetarët e Mitrovicës.

Bahtiri në fjalimin e tij tha se do të punojë me përkushtim të jashtëzakonshëm për të mirën e të gjithë qytetarëve mitrovicas, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, fetare apo partiake.

“Unë edhe një herë i falënderoj qytetarët që besuan në programin tim, të cilët vlerësuan pozitivisht punën time, gjatë periodës së kaluar 4 vjeçare dhe që duke u bazuar në këtë më votuan bindshëm që të udhëheq Mitrovicën edhe për 4 vite të ardhshme”, tha ai.

Agim Bahtiri nga AKR fitoi zgjedhjet me 57.97% të votave, i ndjekur nga Valdete Idrizi nga PDK me 42.02% të votave.