Nga një prezantim i ATK-së

Janë Fiskalizuar Bizneset e Mëdha të Naftës

Në prag të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka organizuar konferencë për media ku shpalosi punën e këtij institucioni përgjatë periudhës prej themelimit.

Tatimet e realizuara të ATK-së kanë arritur në 574 milionë euro, sipas kreut të ATK-së Sakip Imeri, duke filluar me rritje edhe në vitin 2018.

“Administrata Tatimore gjatë këtyre 18 viteve ka filluar me tatimin e thjeshtë në hotele dhe restorante për të vazhduar pastaj me kompletimin e legjislacionit tatimor dhe gjithashtu me ngritjen e kapaciteteve në Administratën Tatimore të Kosovës për të arritur në vitin 2017 me 574 milionë euro të realizuara nga të cilat 414 milionë euro janë tatime dhe 160 milionë euro janë kontribute pensionale”, tha Imeri.

Ai tregoi se thuajse të gjitha bizneset e naftës janë fiskalizuar.

“Deri më tani janë fiskalizuar 307 biznese. Bizneset të cilat qarkullimin e kanë DTM (Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj)janë të fiskalizuar 100 për qind- kategoria e derivateve të naftës, dhe mbi 90 për qind të të hyrave të derivateve të naftës janë në DTM”, tha Imeri.

Imeri tha se të pafiskalizuar kanë mbetur vetëm një numër i vogël i bizneseve me pompa individuale.

“Kjo kategori e pafiskalizuar ka mbetur një numër i vogël kryesisht pompa individuale në periferi ose në zonat rurale ku edhe kostoja edhe kapaciteti i administratës tatimore janë në zhvillim e sipër të aktiviteteve për fiskalizimin e grupit të mbetur“, tha Imeri.

Deri tash, sipas ATK-së, janë fiskalizuar 227 mijë e 872 tatimpagues ose biznese me 36 mijë e 625 pajisje elektronike fiskale.

Sipas Imerit, me këmbë të mbarë ATK-ja e nisi vitin 2018, duke realizuar 14 për qind me tepër tatime se në vitin e kaluar.

“Viti 2018 është vit i cili ka filluar mbarë për Administratën Tatimore dhe për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Nga 48.8 milionë euro të hyra të parashikuara për janar të vitit 2018 janë realizuar 51.4 milionë euro apo 5.3 për qind më shumë se plani, ndërsa 14 për qind më shumë se vitin r kaluar”, tha Imeri.

Trend të rritjes shënuan edhe kontributet pensionale, të cilat në krahasim me vitin e kaluar janë rritur 9 për qind.

Nga Ligji për Faljen e Borxheve janë falur 245.1 milionë euro tatime, 1 milionë euro janë vlera të kontraktuara tatimore, ndërsa vlera e arkëtuar 35 milionë euro për buxhetin e shtetit.

Mbi 1.5 milionë qytetarë kanë aplikuar për rimbursim nga kuponët fiskalë për dy vjet, ndërsa mbi 28 milionë euro iu shpërndanë atyre.

“Për këto dy vite kanë aplikuar 1 milionë e 565 mijë e 89 qytetarë. Prej këtyre që kanë aplikuar 1 milionë e 531 mijë e 172 pliko. Prej këtyre që janë 1 milionë e 523 mijë e 792 pliko kanë qenë të sakta dhe iu është rimburusar vlera 28 milionë e 330 e 45 euro”, tha Imeri.

Për kuponët fiskalë tutje u tha se nga qershori i vitit 2017 është kaluar në formën e re të rimbursimit për të cilën kanë aplikuar 278 mijë qytetarë me 3 mijë e 592 pliko dhe u janë kthyer deri 263 mijë e 594 euro.

Sipas kreut të këtij institucioni, Sakip Imeri, lëvizje jashtëzakonisht pozitive është parë edhe në perceptimin e qytetarëve për korrupsion në ATK ku në vitin 2017 nga 32.5 për qind perceptimi bie në 17.4 për qind.