Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Mos Luani me Luftën

Në gjykimin për krime lufte të Fatmir Limajt po dëshmon kolegu i tij partiak Jakup Krasniqi.

Krasniqi kur u pyet për një shkrim autorial të tij të vitit 2016 në të cilin e kishte lavdëruar Brigadën 121 dhe Fatmir Limajn, u çudit sse si mund të përmendet ky shkrim në gjykatë.

“Unë e thashë edhe më herët që jam autor i këtij shkrimi, por nuk kam pritur dhe nuk po e di ku jam sot. Ky shkrim është bërë 18 vjet pas luftës dhe nuk kam pritur që ky shkrim të jetë objekt i shqyrtimit në gjykatat tona”, tha Krasniqi.

Ai më tutje kërkoi që të mos luhet me luftën.

“Mos luani me luftën, shtabi I përgjithshëm nuk merr përgjegjësi për vrasje individuale që kanë mujt të kryhen në atë kohë për çështje private”, tha Krasniqi.

Fatmir Limaj po akuzohet në lidhje me vrasjet e Selman Binishit dhe Ramiz Hoxhëss në Malishevë gjatë kohës së luftës.

Jakup Krasniqi në gjykatë shfajësoi Fatmir Limajn për këto akuza.

“Unë jam i bindur se Fatmir Limaj nuk ka pasur përgjegjësi për këto vrasje pasi që njërin e ka pasur bashkëfshatar, ndërsa tjetri ishte nga një fshat fqinj në të cilin e ka edhe dajët prej aty, e as unë, as Fatmiri e as Shtabi i Përgjithshëm nuk kanë faj në këtë punë”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se nga qershori i vitit 1998 ushtarët e UÇK-së nuk kanë përdorur maska.