Jakup Krasniqi e Ragip Begaj Pritet të Dëshmojnë në Gjykimin e Limajt

Në Gjykatën Themelore të Gjakovës nesër do të vazhdojë gjykimi ndaj zëvendëskryeministrit të Kosovës, Fatmir Limaj, i akuzuar për krime lufte që lidhet me vrasjen e dy civilëve në zonën e Malishevës.

Në seancën e nesërme pritet të dëshmojnë dy kolegët e partisë të cilën e drejton i akuzuari Fatmir Limaj.

Në këtë proces gjyqësor, i njohur si rasti “Bellanica”, Limaj akuzohet për krime lufte.

Gjatë seancës së nesërme pritet të dëshmojnë kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi dhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 28 tetor të vitit 2016 ngriti aktakuzë ndaj Limajt lidhur me vrasjen e dy civilëve shqiptarë gjatë luftës.

Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se si pjesëtar i UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit, më 2 tetor 1998.