Jakup Krasniqi - Arkiv

Jakup Krasniqi Dëshmon në Gjykimin e Limajt

Dy kolegët e partisë do të dëshmojnë në gjykimin e kryetarit të tyre, Fatmir Limajt, i akuzuar për krime lufte.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi dhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, do të dëshmojnë në procesin e Limajt më 1 dhe 2 shkurt.

Prokurorja Speciale, Drita Hajdari, ka propozuar që të dëshmojnë këtë dy persona në këtë gjykim.

“Pas konsultimit ngelim pranë propozimit për dëgjimin si dëshmitarë të Ragip Begajt, i cili në kohën e krimit ka qenë komandant, ka qenë te kufoma dhe konsideroj që është i nevojshëm dëgjimi për rrethanat ushtarake të asaj kohe. Po ashtu, propozoj të dëgjohet në cilësinë e dëshmitarit Jakup Krasniqi, i cili në kohën e krimit ka qenë zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm”, tha prokurorja Hajdari.

Seancat kur do të dëgjohen këta dy dëshmitarë do të mbahen më 1 dhe 2 shkurt.

Në seancën e sotme dëshmuan Azem Syla, ish-komandant i përgjithshëm i UÇK-së, Naim Maloku, ish-epror i UÇK-së, Sokol Dobruna, ish-kryetar i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së si dhe dëshmitari Muhamed Hoxha që kishte qenë njëri prej personave që kishte komunikuar i fundit me të ndjerin Selman Binishin.

http://kallxo.com/naim-maloku-me-1998-kam-thene-se-vrasja-ne-bellanice-do-te-zbardhet/

http://kallxo.com/tahir-rrecaj-kerkon-prokurorise-te-mos-e-marre-si-prove-shkrimin-ne-gazete/

Prokuroria Speciale e Kosovës më 28 tetor të vitit 2016 ngriti aktakuzë ndaj Limajt lidhur me vrasjen e dy civilëve shqiptarë gjatë luftës.

Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se si pjesëtar i UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

Sipas Prokurorisë Speciale Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, më 2 tetor 1998 janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari.

Prokuroria në aktakuzë pretendon se Fatmir Limaj i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarr masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” në nëntor të vitit të kaluar shfaqi hulumtimin në dy vazhdime në të cilin familjarë të viktimave që u morën në Bellanicë në vitin 1998 treguan se si ndodhi ky rast.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi nga gjykimi i Fatmir Limajt në rastin “Bellanica”. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.