Gjykata Supreme e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Ja Pse u Arrestua Referentja e Gjykatës Supreme

Referentja e Gjykatës Supreme, Bukurie Haxhimurati, dje me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës është bastisur në vendin e punës dhe të njëjtën ditë ndaj saj u caktua masa e arrestit shtëpiak prej një muaji.

Përkundër se prokurori kishte kërkuar që për punonjësen e gjykatës më të lartë në vend të caktohet masa e paraburgimit prej një muaji, gjyqtari i EULEX-it Vladimir Micula, Haxhimuratit i caktoi vetëm masën e sigurisë – arrest shtëpiak.

Sipas aktvendimit për caktimin e masës së sigurisë, të cilin KALLXO.com e ka, Haxhimurati po hetohet për veprat penale marrje e ryshfetit dhe për ushtrim të ndikimit.

Sipas prokurorisë, hetimet kundër të dyshuarës kanë filluar më 28 shkurt të vitit 2014.

Prokuroria citon një hetim të Inspektoratit të Policisë së Kosovës, në të cilin e dyshuara cilësohet si një person që “përpiqet të ndihmojë persona të ndryshëm dhe gjithashtu premton se do të bëjë punë të ndryshme për ta”.

E dyshuara Haxhimurati nga disa persona të tjerë që i përmend ky raport cilësohet se ishte e lidhur me njerëz të interesuar për të “rregulluar punë“ në Gjykatën Supreme të Kosovës.

Të gjitha këto pretendime të prokurorisë së EULEX-it i kundërshton avokatja e të dyshuarës, Adelina Hoxha.

Hoxha thotë se hetimet në këtë rast kanë marrë kohë më shumë se dy vite dhe se krejt në fund të hetimit prokuroria ka kërkuar caktimin e paraburgimit.

“Absurdi që prokurorja thotë se ka dyshime të bazuar se e dyshuara ka bashkëpunëtor brenda gjykatës por nuk i qet para gjykatës. Ku është dyshimi i bazuar këtu?”, pyet avokatja.

Hoxha më tej thotë se krejt kjo e bën të dyshojë se disa pjesëtarë të EULEX-it po bëjnë çmos vetëm e vetëm që të arsyetojnë qëndrimin e tyre në Kosovë.

KALLXO.com raportoi për bastisjen e zyrës së referentes dhe për caktimin e masës së sigurisë ndaj saj.

http://kallxo.com/arrest-shtepiak-referentes-se-supremes/