Mustafa Busuladziç. Foto: Wikimedia Commons/public domain.

Izraeli Kritikon Emrin ‘Anti-Semit’ të Shkollës Boshnjake

Ambasada e Izraelit për Bosnjën dhe Hercegovinën, me seli në Tiranë, i dërgoi një notë proteste ministrit të jashtëm të Bosnjës në lidhje me vendimi për riemërtimin e shkollës fillore Dobrosevici në Sarajevë me emrin e atij që ajo e quajti “personaliteti i diskutueshëm dhe anti-semit” Mustafa Busuladziç.

Nota e protestës u dërgua më 23 gusht, por Aleanca e Shoqatave Antifashiste dhe Luftëtarëve të Luftës së Dytë Botërore në Kantonin e Sarajevës e bëri publike të martën.

“Ambasada e Izraelit përsërit keqardhjen e saj të sinqertë që Autoritetet e Kantonit të Sarajevës miratuan një lëvizje të tillë sidomos duke marrë parasysh faktin që shumica e komunitetit hebre boshnjak u vra në mënyrë brutale nga ana e forcave pushtuese naziste dhe fashiste me të cilat z. Busuladziç e identifikonte veten,” tha ambasada në notën e protestës.

“Një veprim i tillë i pafat dëmton qartë frymën e pasur multietnike dhe kozmopolitane për të cilën Sarajeva dhe komuniteti i saj boshnjak është shumë krenar,” shtoi ajo.

Ambasada tha se komuniteti hebre ka ekzistuar në Bosnjë dhe Hercegovinë për më shumë se 450 vjet, por se “një vendim i tillë dëmton lidhjet e thella historike midis popujve tanë”.

Busuladziç është tepër i diskutuar në Bosnje dhe Hercegovinë, me disa njerëz që e shohin atë si një martir dhe një viktimë të regjimit komunist jugosllav, ndërsa të tjerë theksojnë se ai ishte një bashkëpunëtor i njohur i forcave pushtuese kroate ustashe gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe se mendimet e tij të shkruara shpesh pasqyronin idetë naziste.

Menjëherë pas ardhjes në pushtet, autoritetet komuniste e arrestuan atë dhe më pas e ekzekutuan atë më 29 qershor 1945.

Në tetor 2016, Asambleja e Kantonit të Sarajevës pranoi propozimin që shkolla fillore në Dobrosevici të merrte emrin e Busuladziçit.

Megjithatë, partitë opozitare protestuan duke thënë se shkolla nuk duhet të riemërtohet për shkak të lidhjeve të Busuladziçit me fashizmin.

Propozimi u refuzua fillimisht, por u miratua në përpjekjen e dytë.

Në rajonin e Kosevos në Sarajevë tashmë një rrugë mbanë emrin e Busuladziçit.