Bakir Izetbegoviq, anëtari boshnjak i presidencës së vendit mbërrin në takim. Foto: BIRN.

Izetbegoviq: Bosnja Rihap Padinë për Gjenocid ndaj Serbisë

Bosnja do të nisë një apel kundër vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë  (GjND) të vitit 2007, vendim i cili liroi Serbinë nga akuzat për pjesëmarrje në gjenocid gjatë luftës së viteve 1992-1995, njoftoi Bakir Izetbegoviq.

Vendimi u mor pas një takimi të përbashkët në Sarajevë të rreth 50 ekspertëve ligjorë, përfaqësues të Qeverisë, partive opozitare, akademikë dhe OJQ-sh.

Izetbegoviq deklaroi gjithashtu se Bosnja ka mbledhur prova të reja për rastin e tyre “me kalimin e kohës dhe nëpërmjet procesit kundër ish-liderit ushtarak serb të Bosnjës Ratko Mlladiq në Gjykatën e Hagës”.

Ai shtoi se provat do të paraqiten pasi GjND të pranojë kërkesën e Bosnjës.

“Ekziston pyetja nëse një rishikim i çështjes do të shkaktonte një krizë mes boshnjakëve dhe serbëve në Bosnjë dhe Hercegovinë. Do të ketë krizë, por jo ajo që pritet”, tha Izetbegoviq.

“Krizat e vështira ndodhin kur dikujt i hiqen të gjitha të drejtat e tij themelore. Ne s’po i heqim të drejtat askujt me këtë, ne të gjithë duam të vërtetën – edhe ata që e kundërshtojnë atë”, shtoi ai.

Izetbegoviq deklaroi gjithashtu se përfaqësuesi i Bosnjës në padinë kundër Serbisë në GjND, Sakib Softiq, ka mbështetjen e plotë për të vazhduar me çështjen.

Lajmi ka gjasa të tronditë marrëdhëniet tashmë të acaruara në sferën politike të vendit.

Përfaqësuesit serbë të Bosnjës refuzuan të merrnin pjesë në takim dhe Partia për Progres Demokratik e Republikës Srpska kishte lajmëruar të premten planet për të ngritur padi penale kundër Izetbegoviqit nëse ai vazhdonte para me planet për apelin.

Zyrtarë të lartë në Republika Srpska dhe përfaqësues serbë në organet e nivelit shtetëror paralajmëruan të premten se nisja e apelit do të ishte antikushtetuese dhe e papranueshme.

Branislav Borenoviq, kryetari i Partisë për Progresit Demokratik, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës në nivel shtetëror, njoftoi mundësinë e ngritjes së një padie penale kundër Izetbegoviqit, Softiqit dhe të tjerëve nëse ata paraqesin kërkesën për apel.

“Dihet që në këtë çështje nuk ka argumente të reja. Nëse ka një kërkesë për rishikim të vendimit jashtë institucioneve të Bosnjës dhe Hercegovinës, faji i vetëm për bllokimin në funksionimin e institucioneve do të jetë i anëtarit boshnjak të presidencës, Bakir Izetbegoviq, Sakib Softiqit dhe të tjerëve që përkrahin veprime të tilla reaksionare”, u tha Borenoviq gazetarëve.

Të enjten, ligjvënës nga dy partitë më të mëdha serbe të Bosnjës bojkotuan seancën parlamentare të ditës së enjte në shenjë proteste ndaj konsultimit të Izetbegoviqit për këtë çështje.

Anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës, Mlladen Ivaniq, ka paralajmëruar se apeli do të ishte shkatërrimtar për marrëdhëniet etnike.

“Kjo do të nënkuptonte se ne po hyjmë në një krizë shumë të rëndë dhe i paralajmëroj të gjithë të rishqyrtojnë veprimet e tyre”, tha Ivaniq për mediat të martën.

Nisma ka gjasa të shkaktojë gjithashtu një reagim të zemëruar nga Beogradi, parashikoi më herët këtë javë ministri i Tregtisë dhe Telekomunikacionit në Serbi, Rasim Lajiq.

“Nuk mund të flas para kohe për atë që do të ndodhë, por gjithsesi, nëse ndodh, druhem se marrëdhëniet tona politike do të ngrijnë për një periudhë të caktuar kohe”, tha Lajiq për mediat të mërkurën.

Izetbegoviq lajmëroi javën e kaluar se ai do të konsultohej për 10 ditë me ekspertë mbi mënyrën dhe kohën se kur duhet të paraqitet apeli, duke këmbëngulur se nuk ishte një çështje politike, por ligjore.

Në vendimin e vitit 2007, GjND vendosi se masakra e vitit 1995 e më shumë se 7,000 burrave dhe djemve myslimanë boshnjakë nga Srebrenica nga forcat serbe të Bosnjës përbënte gjenocid dhe se Serbia kishte shkelur Konventat e Gjenevës duke mos e ndaluar atë.

Megjithatë, ajo vendosi se nuk kishte prova të mjaftueshme për të treguar se forcat serbe të Bosnjës që kryen gjenocidin vepruan “me urdhër” ose “kontroll” të Serbisë.

Koha brenda të cilës mund të paraqitet kërkesa për apel skadon më 26 shkurt.