Ivica Daçiq Propozon Ndarjen e Kosovës si 'Kompromis'

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq tha se ai kishte një propozim kompromisi për ndarjen e asaj që i përket serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve dhe shmangies së konfliktit.

Daçiq botoi një artikull në gazetën shtetërore “Vecernje Novosti” të dielën, duke sugjeruar që, për të shmangur konfliktin e ardhshëm për Kosovën, ajo që i përket serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë duhet të ndahet, edhe pse ai nuk shpjegoi se çfarë do të thotë kjo në praktikë.

Ai tha se duhet të krijohet një Asociacion i Komunave serbe në jug të Kosovës, ngjashëm me atë që duhet të krijohet në veriun kryesisht serb, nën marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës.

Për të siguruar sigurinë e kishave ortodokse serbe në Kosovë, Daçiq propozoi krijimin e “bashkësive të pavarura monastike”, të cilat do të kishin njëfarë shkalle të autonomisë territoriale.

Daçiq propozoi më tej se duhet të ketë “kompensim financiar për pronën private dhe shtetërore të uzurpuar”.

“Secili ka nevojë për një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit serbo-shqiptar dhe mund të arrihet vetëm me një marrëveshje midis serbëve dhe shqiptarëve, në të cilën secili do të marrë dhe do të humbasë diçka”, shkroi ai në artikull.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq më 23 korrik bëri thirrje për një “dialog të brendshëm” në Serbi rreth Kosovës, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për çështjen.