Presidenti maqedonas në Kuvend | Foto: MIA

Ivanovit i Kërkohet ta Bllokojë Ligjin për Gjuhët

Akademikët maqedonas, organizatat e diasporës dhe opozita politike e krahut të djathtë i kanë bërë thirrje Presidentit të përdorë veton ndaj një ligji të ri mbi gjuhën të miratuar të enjten, duke këmbëngulur se projektligji është jokushtetues dhe kundër interesit kombëtar.

Anëtarë të shquar të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, MANU, Katica Kjulafkova, Gordana Siljanovska-Davkova dhe Simona Gruevska-Madzoska, në një letër të hapur, pohuan se projektligji rrezikon statusin kushtetues të gjuhës maqedonase duke futur dygjuhësinë dhe një formë të identitetit nacional dykombësh.

“Është koha për presidentin Gjorge Ivanov të vendosë veto të paktën një herë, jo për të demonstruar fuqinë e tij, por në emër të sundimit të ligjit”, shkruan tre profesorët e njohur, kundërshtues të projektligjit të ri.

Kabineti presidencial të premten tha se presidenti Gjorge Ivanov kishte marrë projektligjin. Ai ka shtatë ditë për të vendosur nëse do ta nënshkruajë apo jo.

Nëse Ivanov nuk e nënshkruan projektligjin, parlamenti mund të votojë përsëri dhe nëse deputetët e kalojnë atë sërish, do të bëhet ligj nëse Presidenti e nënshkruan, ose jo.

Në këtë rast, e vetmja mënyrë për të anuluar projektligjin, ose disa nga dispozitat e tij, do të ishte përmes ankesës në Gjykatën Kushtetuese.

Gjatë fjalimit të tij të Vitit të Ri në parlament, Ivanov, i cili ishte emëruar nën qeverinë e krahut të djathtë të VMRO-DPMNE-së, la të kuptohet se mund të vërë veton ndaj ligjit.

“Ligji për gjuhët nuk është një kërcënim për gjuhën maqedonase [por] … rrezikon unitetin e vendit. Ky projektligj shkel ligjin më të madh në vend, kushtetutën”, tha Presidenti në fjalim.

Ligji, i miratuar të enjten, shtrin përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në të gjithë vendin, në të cilin shqiptarët përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë së përgjithshme prej 2.1 milionësh, duke lehtësuar kështu komunikimin në gjuhën shqipe me institucione si komunat, spitalet dhe gjykatat.

Ligji i mëparshëm e përcaktoi gjithashtu gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare, por i dha atë status vetëm në ato zona ku shqiptarët përbëjnë mbi 20 përqind të popullatës lokale.

Ligji i ri parasheh formimin e një agjencie të posaçme për të monitoruar përdorimin e gjuhëve nga institucionet. Kjo agjenci duhet të merret me një nga problemet më të mëdha me ligjin e kaluar, i cili shpesh ua la komunave dhe ekipeve menaxhuese për të vendosur për këtë çështje.

Një organizatë pan-maqedonase, Diaspora e Bashkuar e Maqedonisë, OMD, gjithashtu i bëri thirrje Presidentit për të kundërshtuar ligjin.

Ligji i ri “e shtyn vendin një hap më afër shtetit federal, duke rrezikuar integritetin unitar dhe territorial të Maqedonisë”, shkroi OMD.

Partia kryesore e opozitës VMRO DPMNE e krahut të djathtë, deputetët e të cilës munguan gjatë votimit, ndërkohë e ka quajtur ligjin jokushtetues.

“Ligji për dygjuhësinë nuk kontribuon drejt përmirësimit real të të drejtave të komunitetit shqiptar … Përkundrazi, ai thellon mosmarrëveshjen. Do të krijojë kaos në rendin ligjor dhe paralelizmin në institucionet “, tha VMRO DPMNE.

Megjithatë, Lidhja Social-Demokrate, SDSM, ka mbrojtur ligjin.

“Reagimet e VMRO DPMNE janë frikacake dhe të paqëndrueshme. Nëse kishin ndonjë argument, deputetët e VMRO DPMNE mund t’i kishin mbrojtur ata në parlament, në vend që të iknin”, u përgjigjën Social- Demokratët, duke iu referuar bojkotit të opozitës.

Kryeministri i ri i qendrës së majtë të Maqedonisë, Zoran Zaev, i cili u zgjodh në maj, u zotua të miratojë ligjin, pasi kishte rënë dakord të bëjë ndryshime të tilla në bisedimet me partitë partnere shqiptare.

Miratimi i ligjit është mirëpritur në Shqipërinë fqinje dhe në Kosovë si një hap i rëndësishëm drejt zgjidhjes së çështjeve të mbetura ndëretnike në Maqedoni.