Ismet Beqiri

Ismet Beqiri Tregon si iu Pamundësua Gara për Prishtinën

Ismet Beqiri që ishte kryetar i Prishtinës nga viti 2002 deri në vitin 2008, tregoi sot nëpërmjet një postimi në Facebook se iu pamundësua gara për ta drejtuar kryeqytetin.

“Përkundër faktit që kisha vullnetin, gatishmërinë dhe përkrahjen e shumicës së strukturave të LDK-së në Prishtinë,më vjen keq që pas një votimi të fshehtë,(hera e parë në Kryesinë e LDK-së)nuk e kam mundësinë të garoj”, shkroi Beqiri.

LDK-ja në zgjedhjet lokale të 22 tetorit kandidat për kryetar të Prishtinës e ka ish-ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashin.

Beqiri në postimin e tij falënderoi ata që e propozuan për t’i hyrë përsëri garës për kryeqytetin.

“Dëshiroj që publikisht të ju falenderoj për mbështetjen që më keni dhënë të jem kandidat i mundshëm për kryetar të Prishtinës,të jem zëri juaj përfaqësues nga radhët e LDK-së.Veçmas falenderoj Degën e I-rë,nëndegët,Forumin e Gruas,Forumin Rinor dhe anëtarsinë e degës time,që kanë bërë propozimin për kandidat”, shkroi më tutje Beqiri.

Deputeti i LDK-së tregoi se do t’i mbetet besnik kësaj partie.

“Do të punoj ashtu siç kam punuar për 27 vite për të mirën e LDK-së,për suksesin e LDK-së,përkundër sfidave që i kam pasur dhe mund t’i kem”, vijoi postimi i Beqirit.

“Dashtë zoti të kemi rezultate pozitive edhe në këto zgjedhje të 22 tetorit ta fitojm Prishtinën tonë”, përfundoi Beqiri.

Garës për Prishtinën përpos Arban Abrashit i kanë hyrë edhe kryetari aktual i saj Shpend Ahmeti, Lirak Çelaj, Arbër Vllahiu, Shyqeri Bytyqi e Rifat Deri.