Ismail Kadare me një porosi për Ramush Haradinajn
Shkrimtari shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare u takua me Zëvendësministrin e kulturës në Kosovë, Rexhep Hoti.
Hoti tha se në bisedën me Kadarenë, ai i dha një porosi për kreun e qeverisë së Kosovës.
“Shkrimtari Kadare, ndër të tjera u shpreh se nevojitet botim dhe qarkullim më i madh i librit në shqip qofshin ata autorë shqiptarë apo të huaj. Kadare i tha zëvendësministrit Hoti që t’ia përcjellë si porosi edhe kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, që bashkërisht me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, të bëjnë lehtësimin e politikave ndaj librit ashtu që ai të lëviz pa barriera këndej dhe andej Drinave”, thuhet në njoftimin e minsitrissë.
Kadare e Hoti biseduan edhe për mundësinë e avancimit të projekteve madhore në shërbim të trungut të përbashkët kulturor dhe veçmas në kujdesin e vazhdueshëm ndaj gjuhës shqipe.
Zëvendësministri i Kulturës, Rexhep Hoti, e informoi Kadarenë për politikat dhe aktivitetet që ndërmerr MKRS-ja në raport me librin, botimin dhe shpërndarjen e tij si dhe të revistave letrare dhe në anën tjetër të përkrahjes së bibliotekarisë dhe fuqizimit të rrjetit bibliotekar në Kosovë.