Ilustrim: Gratë myslimane protestojnë në Sarajevë për të drejtën pë ta mbajtur hixhabin. Foto: Facebook

Islamofobia në Ballkan 'po Rritet'

Islamofobia ka gjasa të rritet në të gjitha vendet e Ballkanit si rezultat i një mjedisi politik dhe mediatik që është përkeqësuar që nga kriza e refugjatëve dhe rritjen e ISIS, thonë ekspertët.

Islamofobia ka gjasa të rritet në të ardhmen e afërt në Ballkan, vunë në dukje ekspertët, si pasojë e një mjedisi politik dhe mediatik i cili në shumë vende në rajon – sidomos në Kroaci dhe Serbi – është përkeqësuar në vitet e fundit për shkak të fenomeneve të rajonit si kriza e  refugjatëve e vitit 2015 dhe rritja e të ashtuquajturit Shtet islamik në Lindjen e Mesme.

“Në vitin 2015 ne pamë një zhvendosje paradigmatike në parti të djathta në Kroaci,”  tha për BIRN Dino Mujadzevic, studiues në Universitetin e Zagrebit dhe ekspert i historisë bashkëkohore të Evropës Juglindore.

Sipas Mujadzevic, islamofobia nuk ka qenë një problem i madh në Kroaci, por gjërat kanë ndryshuar që nga koha kur vala e madhe e refugjatëve goditi vendin vitin e kaluar.

“Për herë të parë, partitë kroate të krahut të djathtë janë duke shfrytëzuar idenë e një “kërcënimi mysliman” që vjen në vendin tonë, të importuara nga jo-myslimanët evropianë … dhe mediat në Kroaci kanë filluar raportimin gjerësisht në lidhje me krimet e kryera nga myslimanët apo azil kërkuesit në vende të tjera”, ka thënë Mujadzevic, duke theksuar se ky mjedis  që po krijojnë mediat po lehtëson rritjen e ndjenjave anti-islamike në mesin e popullatës.

“Në rast se do të ketë një valë të re të refugjatëve … islamofobia do të bëhet një forcë e vërtetë në Kroaci,” parashikoi ai.

Shqetësimet e Mujadzevic ishin të përbashkëta me Bojan Perovic, një studiues nga Universiteti i Hamburgut dhe ekspert për të drejtat e njeriut nga Serbia.

Ai paralajmëroi për rritjen e ndjenjave anti-myslimane në mediat serbe dhe rrezikun se mund të marrë mbështetje të gjerë, pasi zgjedhjet e fundit parlamentare detyrimisht shënuan kthimin e forcave radikale nacionaliste në parlament.

Ndërsa Perovic vuri në dukje se autoritetet serbe reaguan menjëherë ndaj krizës së refugjatëve, ai vuri në dukje se ndjenjat anti-islamike janë të pranishëm në librat e shkollave serbe dhe tabloidët.

“Në të ardhmen, dhe sidomos pasi partitë nacionaliste u kthyen në parlament, ne mund të presim që kjo lloj retorike të bëhet edhe më popullore”, tha për BIRN-in Perovic.

Të dy Perovic dhe Mujadzevic ishin në mesin e ekspertëve të cilët morën pjesë në një panel kushtuar islamofobisë në Ballkan, e organizuar si pjesë e Samitit të parë Evropian të Islamofobisë të dielën.

Panelistët tjerë theksuan se retorika islamofobe mund të gjendet edhe në vende si Kosova dhe Bosnja, ku myslimanët përfaqësojnë një pjesë të madhe të popullsisë.

Arbër Fetiu, një studiues nga Kosova i Universitetit të Montrealit, tha se edhe pse shumë njerëz në Kosovë praktikojnë Islamin, stereotipe negative si “mjekrrosh” dhe “gratë e mbuluara” janë duke u bërë gjithnjë e më të zakonshme, si efekt i shqetësimeve mbi radikalizimin dhe ekstremizmi, dhe për shkak se ata janë parë si subjekt i një “ndikimi të huaj fetar”, e cila mund të minojë pavarësinë e Kosovës.

“Këta njerëz janë përshkruar shpesh si burra dhe gra të cilët janë paguar nga vendet arabe, apo edhe nga Serbia – sipas disa teorive konspirative – për të” ri-Islamizojnë Kosovën”, tha Fetiu në konferencë.

Dermana Seta, një eksperte boshnjake në studimet fetare e cila kryeson komisionin për lirinë e fesë brenda Bashkësisë Islame të Bosnjës, vuri në dukje se myslimanët e Bosnjës janë shpesh viktima të gjuhës së urrejtjes dhe krimeve në vendet ku ata janë pakicë.

Ajo tha se lëvizja nga autoritetet boshnjake për të luftuar terrorizmin dhe radikaliziin kanë kontribuar në stigmatizimin e besimtarëve myslimanë si kërcënues të mundshëm ndaj sigurisë.

“Strategjia e Bosnjës kundër terrorizmit posaçërisht, miraton masa kundër ekstremistëve myslimanë …, ndërsa lëvizjet e tjera ekstreme [serbë dhe kroatë] të krahut të djathtë nuk janë përmendur ende”, tha Seta për BIRN.

“Qeveria jonë është duke u përpjekur që t’u bëjë përshtypje partnerëve të saj perëndimorë por teknikat e saj nuk janë duke bërë ndonjë të mirë për situatën tonë të brendshme”, përfundoi Seta.