Foto: Ilustrim

Ishte Nisur për Shkollë- Humb 15 Vjeçi nga Gjakova

Një djalosh 15 vjeç nga fshati Nec i Gjakovës po konsiderohet i zhdukur, pasi nuk është kthyer në shtëpi që nga mesdita e djeshme.

Policia njofton se ka marrë informatë nga prindi i djaloshit që ai nuk është kthyer në shtëpi pasi ka dalë dje në mesditë për të shkuar në shkollë.

Babai i djalit që konsiderohet i zhdukur i ka thënë policisë në Gjakovë se ka biseduar edhe me kujdestarin e klasë së djalit të tij dhe kujdestari e ka njoftuar se 15 vjeçi dje nuk ishte në shkollë.

“Policia me të marrë informatën ka iniciuar rastin ‘Person i zhdukur’ dhe ka informuar të gjitha rajonet dhe stacionet policore lidhur me rastin”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia bën me dije se është duke e trajtuar me prioritet rastin.

“Njësitet policore relevante janë duke trajtuar rastin me prioritet të lartë duke ndërmarrë veprime operativo hetimore lidhur me zbulimin e mundshëm të vendndodhjes së të miturit”, sqaron policia.

Familjarë të të zhdukurit kanë shkruar në Facebook se bëhet fjalë për Pal. N. Hisenin, të cilin e përshkruajnë si bjond me gjatësi 165 centimetra, ndërsa lusin atë që e kanë parë të njoftojnë familjen.

Pal N. Hiseni, i riu i humbur nga Gjakova. Foto: Facebook