Gjykimi për marrje dhe dhënie ryshfeti | Foto: KALLXO.com

Ish-Zyrtari i PTK-së Dënohet me Kusht për Ryshfet

Gazmend Isufi, ish-zyrtari i lartë i PTK-së është dënuar sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 1 vit burg me kusht dhe 5 mijë euro gjobë.

Isufi nuk do të shkojë në vuajtje të dënimit nëse nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale gjatë tre vjetëve të ardhshëm.

Gjykata burg me kusht dhe gjobë u ka shqiptuar edhe të akuzuarve tjerë të këtij procesi gjyqësor.

Agim Zeqiri u dënua me 1 vit e gjashtë muaj burg me kusht, i cili nuk do t’i ekzekutohet, nëse Zeqiri nuk kryen vepër tjetër penale brenda dy vjetësh. Zeqirit iu shqiptua edhe gjobë prej 1 mijë eurosh.

Zyhdi Hajzeri u dënua me vit burg me kusht. Hajzeri nuk do të përfundojë prapa grilave, nëse nuk kryen vepër tjetër penale në afat prej dy vjetësh. Hajzeri u dënua edhe me gjobë prej 1 mijë e 500 eurove.

Gjykata Veton Morinës ia shqiptoi dënimin burg me kusht prej 1 viti të cilin nuk do ta vuajë nëse nuk bie në kundërshtim me ligjin për dy vjetët e ardhshëm. Morina do të paguajë edhe 1 mijë euro gjobë.

Nerxhivane Daka, Gëzim Curri e Valon Kuçi u dënuan me nga gjashtë muaj burg me kusht. Ata duhet të mos kryejnë brenda një viti vepër tjetër penale, nëse nuk dëshirojnë ta vuajnë dënimin prapa grilave.

Daka, Curri e Kuçi u dënuan edhe me nga 500 euro gjobë.

Gazmend Isufi akuzohej që  si drejtor i Kontrollit të Brendshëm në Postën e Kosovës në periudhën 2013-2015 ka vepruar në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare duke u premtuar personave të ndryshëm punësimin e të afërmve  në Postën e Kosovës.

Sipas aktakuzës, Isufi ka kërkuar dhe pranuar nga Agim Zeqiri shumën e të hollave prej 5 mijë eurove me qëllim që t’i punësonte të afërmin e tij Rizah Vokrrin në Postën e Kosovës.

Aktakuza Isufin gjithashtu e ngarkonte se ka marrë shumën prej 2000 eurove nga Zyhdi Hajzeri për  punësimin e dhëndrit të tij Gëzim Curri gjithashtu në Postën e Kosovës.

Në seancën e kaluar, isufi kishte thënë se të akuzuarve tjerë të këtij procesi vetëm u kishte marrë para borxh, të cilin tha se ua kishte kthyer borxhin.

http://kallxo.com/akuzuari-per-ryshfet-borxhet-kam-kthyer/

Të akuzuarit tjerë  Agim Zeqiri, Zyhdi Hajzeri, Veton Morina, Nerxhivane Daka, Gëzim Curri dhe Valon Kuçi, të cilët nga prokuroria ngarkoheshin për dhënie të ryshfetit.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/shtyhet-seanca-e-ryshfetit-per-punesim-ne-posten-e-kosoves/

http://kallxo.com/nuk-mbahet-seanca-e-ryshfetit-per-punesim-ne-posten-e-kosoves/