Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Ish-Zyrtari i Bankës Ndihet i Pafajshëm

I akuzuar për përvetësim në detyrë, Ismajl Rudari nuk e pranoi fajësinë për veprën penale që i ngarkohet.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria e Prishtinës më 3 maj 2016, Rudari akuzohet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër në periudhën 1 shkurt 2003 deri më 21 nëntor 2005, si drejtor i ekspoziturës së bankës “NLB” (ish-Kasabanka) dega në Lipjan, e ka përvetësuar pasurinë e cila i është besuar në atë mënyrë që ka lidhur kontrata fiktive për huadhënie të kredive me disa kompani private.

Në seancë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fikrie Fejzullahu, i akuzuari deklaroi se e ka kuptuar aktakuzën, ndërsa sa i përket veprës për te cilën akuzohet u deklarua i pafajshëm.

Naser Sopjani, avokati i të pandehurit, kërkoi që të vërtetohet se a e ka “NLB” statusin e të dëmtuarit pasi që “NLB” nuk është trashëgimtar i “Kasabank”-ës, por është vetëm blerëse.

“Të dëshmohet që “NLB” i ka blerë të gjitha të drejtat dhe detyrimet nga “Kasabank””, tha avokati Sopjani.

Po ashtu avokati e kundërshtoi edhe dispozitivin e aktakuzës pasi që i mbrojturi i tij nuk ka qenë asnjëherë zyrtar i “NLB Bankës”.

Pas këtyre pretendimeve, Gjykata e obligon përfaqësuesin e palës se dëmtuar “NLB” që të ofrojë dëshmi me të cilat do të vërtetohet statusi si palë e dëmtuar, pasi qe mbrojtja e konteston në këtë çështje këtë status.

Seanca e dytë u caktua të mbahet më 3 tetor 2016.