Ish-Zyrtari Ankohet për Padrejtësi Punësimi

Lipa tregon për KALLXO.com se në Komunën e Pejës së pari ishte punësuar si mbikëqyrës i projekteve kapitale në Zyrën e Kryetarit të Komunës, por pas një viti thotë se ishte transferuar në Drejtorinë e Inspektoratit si inspektor ndërtimesh.

Ai thotë se nuk i është vazhduar kontrata e punës sepse kishte luftuar ndërtimet ilegale.

“Shkaku kryesor ka qenë se kam luftuar ndërtimet pa leje të cilat kanë ngulfatur Komunën e Pejës në dy vitet e fundit dhe unë i kam bërë luftimin e tyre duke dërguar rastet në Gjykatën për kundërvajtje. Mirëpo për shkak të matematikave të cilat i kanë pasur zyrtarët komunalë me investitorët unë besoj që ua kam prishur ato matematika”, thotë Lipa për KALLXO.com.

Lipa bën me dije se pasi nuk iu vazhdua kontrata si inspektor i ndërtimeve, konkurroi në një konkurs tjetër të Komunës në të cilin kërkohej inxhinier mbikëqyrës i projekteve kapitale për Zyrën e Kryetarit të Komunës së Pejës.

Këtë punë Lipa thotë se e kishte kryer për një vit, para se të transferohej në pozitën e inspektorit të ndërtimeve.

Ai konstaton se edhe pse i plotësonte kushtet, në atë konkurs sipas tij u pranuan militantë të LDK-së, partisë në pushtet në Pejë.

Zëdhënësi i Komunës së Pejës, Engelbert Zefaj tha për KALLXO.com se Lipa ka qenë i angazhuar me kontratë mbi shërbim në kohëzgjatje prej 6 muajsh.

Zefaj jep një arsye tjetër pse Lipa nuk u pranua në punë.

“Të them të drejtën nuk e ka kryer punën si duhet ka qenë shumë tendencioz, arsyet nuk i dimë. Tash konkursi është hapë, në konkurs kanë fituar ata që komisioni i ka vlerësuar me të mirët. Ne e dimë se çdo kush që nuk e fiton konkursin dyshon ose mendon se iu ka bërë e padrejtë”, tha Zefaj.

Ai mohoi se vendin e punës e fituan militantë partiakë.

KALLXO.com ka raportuar edhe për rastin e ish-drejtorit të auditorit të Brendshëm të Pejës, Hysni Selmanaj, i cili kishte ngritur kallëzim penal ndaj kryetarit të Komunës, Gazmend Muhaxherit.

http://kallxo.com/ish-drejtori-kallezim-penal-ndaj-gazmend-muhaxherit/

Kallzëimi penal kishte rezultuar me ngritje të aktakuzës kundër kryetarit Muhaxheri.

http://kallxo.com/aktakuze-kunder-kryetarit-te-komunes-se-pejes/