Foto-ilustrim

Ish të Burgosurit e Luftës nga Kosova i Frikësohen Ri- arrestimit në Serbi

Ish të burgosurit e luftës nga Kosova janë shprehur të shqetësuar lidhur me mundësinë e ri-arrestimit pasi Xhavit Kolgeci është ndaluar në kufirin Kroaci- Serbi më 17 gusht , derisa po udhëtonte nga Sllovenia në Kosovë.

Kolgeci ka deklaruar se është torturuar në kufi dhe pastaj është dërguar në Nish në jug të Serbisë, ku është intervistuar në gjykatën lokale rreth 46 ish të burgosurve tjerë nga rrethi i Suharekës, që gjatë luftës ishin shënjestër e forcave të Beogradit të cilat arrestuan qindra banorë lokalë.

“Në mesin e emrave që më kujtohen për të cilët më kanë pyetur janë Arben Kolgeci, Emri Loshi, Gazmend Bytyqi, Milazim Kolgeci, Rasim Guraziu, Maliq Shukolli, etj,” tha Kolgeci për BIRN-in.

Këta emra janë në listën e 151 të burgosurve shqiptarë të Kosovës nga Suhareka të përpiluar nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, listë të cilën e ka BIRN-i.

Edhe pse jo të gjithë nga ta ishin pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishin të akuzuar për terrorizëm.

Pas bombardimeve të NATO-s që filluan në mars të vitit 1999, në përpjekje për të ndaluar fushatën ushtarake të Beogradit në Kosovë, të burgosurit u transferuan në Serbi.

Sipas Human Rights Watch, Qeveria Jugosllave ka pranuar se rreth 1900 shqiptarë nga Kosova ishin duke u mbajtur në burgjet e Serbisë, edhe pse disa nga ta nuk ishin në listat qeveritare.

Associated Press asokohe raportoi se në mars të vitit 2002, Beogradi vendosi të lejojë që të gjithë shqiptarët nga Kosova të cilët ende ishin në burgjt serbe, të transferoheshin në Kosovë.

Shumë të burgosur besohet se kanë paguar mes 10,000 dhe 20, 000 marka gjermane për lirimin e tyre.

Kolgeci i cili për herë të parë është mbajtur në burg nga viti 1998- 2002, rishtazi është liruar javën e kaluar, pasi është intervistuar nga zyrtarë të Gjykatës së Nishit.

“Fillimisht më pyetën pse nuk u je pergjigjur thirrjeve te gjykatës. U thashë që nuk kam pranuar asnjë ftesë nga gjykata dhe se e dija që rasti im ishte mbyllur, sepse jam liruar me vendim të gjykatës,” tha ai.

Bashmir Xhemaj, shef i kabinetit të ministrit të jashtëm të Kosovës, tha se janë në dijeni për raste të ngjashme te shqiptarëve nga Kosova që ndalohen në Serbi me akuza të skaduara që datojnë nga koha e luftës.

“Kjo ka ndodhur pasi Kolgeci ishte i burgosur më parë dhe Serbia nuk i ka rifreskuar listat në gjithë vendin dhe Interpoli, prandaj ne vazhdimisht kemi ngritur shqetësime me autoritetet serbe dhe organet ndërkombëtare, sepse ky nuk është rasti i vetëm,” tha Xhemaj për BIRN-in.

Lista e personave të kërkuar nga Serbia nuk është publike, kështu që shumë shqiptarë nga Kosova nuk e dinë nëse janë të dyshuar dhe nëse mund të arrestohen.

“Të gjithë ish pjesëtarët e UÇK-së, ish të burgosurit dhe të tjerët që kanë ndihmuar luftën në Kosovë, rrezikojnë të arrestohen nëse hyjnë në territorin e Serbisë,” tha për BIRN-in Behxhet Shala, kryetar i KMDLNJ-së.

“Serbia nuk e ka bërë publike listën e personave të kërkuar, kështu që perderisa nuk kemi ndonjë sqarim zyrtar lidhur me ato lista, u bëj thirrje të gjithë atyre që mendojnë se mund të ndalohen nga autoritetet serbe, të shmangin kalimin përmes territorit të Serbisë,” tha Shala.

Ish i burgosuri Nesim Morina i ka thënë BIRN-it se ishte arrestuar dhe akuzuar për terrorizëm gjatë luftës, por është liruar në vitin 2000 pasi familja e tij pagoi një avokat serb 15 mijë marka gjermane, i cili ishte supozuar të paguante autoritetet në emër të tyre.

Ai  tha se gjatë luftës ka mjaftuar fakti të jesh shqiptar që të arrestohesh.

“Autoritetet serbe kanë shkruar akuza të trilluara, për të cilat ne nuk kishim as ide,” tha ai.

Qëkur është liruar, Morina nuk ka pranuar asnjë ftesë nga autoritetet serbe dhe asnjë njoftim zyrtar nëse është i kërkuar ose jo.

Tani zyrtar në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Morina ka kaluar përmes Serbisë në vitin 2015 për një udhëtim zyrtar, por nuk është ndaluar nga autoritetet.

Sidoqoftë, ai tha se tani është më i shqetësuar lidhur me mundësinë e ri-arrestimit.

“Pasi kam dëgjuar që Kolgeci është arrestuar, nuk do të isha ndier i sigurt të udhëtoja përmes Serbisë,” tha ai.

BIRN-i ka kontaktuar Zyrën e Prokurorit të Serbisë për informata lidhur me listën e të kërkuarve, por deri në momentin e publikimit nuk ka pranuar përgjigje.