Ish-Prokurorja Badivuku Tërheq Padinë ndaj Vehbi Kajtazit

Ish-prokurorja Vahide Badivuku tërhoqi padinë dhe kërkesë- padinë për shpifje ndaj gazetarit Vehbi Kajtazi në lidhje me një shkrim të botuar në “Kohën Ditore”, nga i cili kishte thënë se “ishte ndier e fyer dhe e njollosur”.

Në gjykatë ish-prokurorja shpjegoi arsyen pse u tërhoq.

“Po tërhiqem nga padia dhe kërkesë-padia e ushtruar ndaj gazetarit Kajtazi jo pse nuk ka bazë të shpifjes, por për arsye se nuk e kam ditur që kanë kaluar afatet ligjore për paraqitjen e artikullit të dytë në kërkesë-padi”, tha Badivuku.

Ish-prokurorja më tutje tha se padinë e kishte bërë për t’i vetëdijesuar mediat që ta thonë të vërtetën.

“Dua të  them se ai artikull është botuar 3 muaj para se unë të emërohesha prokurore dhe ky artikull është ngritur me qëllim që të ndikojë në emërimin tim. Këtë padi nuk e kam ngritur për ndonjë përfitim pasuror, por për vetëdijesimin e mediave që ta prezantojnë të vërtetën”, tha Badivuku.

Vehbi Kajtazi që tash është kryeredaktor i Gazetës Insajderi tha në gjykatë se ish-prokurorja Badivuku i do shumë paratë.

“I ki në qejf shumë paret ti, tu kanë ngri në frigorifer”, i tha Kajtazi ish-prokurores, duke aluduar në gjykimin dhe dënimin e ish-prokurores për marrje ryshfeti.

Ish-prokurorja Vahide Badivuku u dënua vitin e kaluar me 3 vjet burg, 5 mijë euro gjobë dhe 3 vjet mosushtrim të profesionit, ndërsa prokuroria pretendonte në aktakuzë se asaj i ishin gjetur 5 mijë euro të marra ryshfet në kuletë dhe një frigorifer të dorës.

http://kallxo.com/denim-burg-per-prokuroren-vahide-badivuku/

Ish-prokurorja kishte thënë vitin e kaluar se këto para i kishte marrë hua.

http://kallxo.com/badivuku-parate-i-mora-hua/

Por në seancën ku u tërhoq nga padia ndaj Kajtazit, ish-prokurorja Badivuku tha se para publikimit të shkrimit Kajtazi është dashur ta kontaktonte.

“Ai shkrim më ka njollosur mua publikisht dhe profesionalisht dhe po të më telefononte gazetari Kajtazi në telefon ai shkrim nuk do të publikohej pasi që do të mësohej e vërteta”, tha Badivuku.

Ndërkaq Kajtazi tha se kishte tentuar të bisedonte me ish-prokuroren, por nuk ka pasur mundësi.

“Kam provuar të kontaktoj me të, por e njëjta nuk ka pasur qasje në telefon. Po ashtu ajo pas publikimit i ka pasur të gjitha mundësitë të kundërshtojë. Ajo nuk ka paraqitur ankesë, nuk me ka telefonuar as mua e as redaksinë”, tha Kajtazi.

Badivuku e kishte paditur Kajtazin për artikullin me titull: “Veselinoviqi- Al Capone i Veriut të Kosovës” që ishte botuar në “Kohën Ditore”.

“Në atë kohë kam qenë duke u marrë me kriminalitetin në veri të Kosovës, disa muaj më herët kanë qenë arrestuar një grup i madh shqiptarësh për kontrabandë me naftë”, tha Kajtazi.

Ai tregoi se dhjetë ditë rresht ka botuar shkrime për këtë çështje, pasi kishte siguruar dosjen e hetimeve ndaj këtij grupi.

“Unë pata siguruar komplet dosjen hetimore të Prokurorisë Speciale, përfshirë dokumentet që janë publiku në gazetë, kam pasë shkrime që janë publiku 10 ditë rend, të gjitha të mbledhura në mënyrë të ligjshme. Mes këtij materiali hetimor ka dalë edhe materiali i cili është objekt i kësaj çeshtjeje”, tha Kajtazi.

Në shkrim thuhej se Veselinoviqi kishte korruptuar prokurorë, ndërsa përmendej edhe emri i Vahide Badivukut.