Ish-Ministri e Doktorët Deklarohen të Pafajshëm për Stentat

Edhe pse dy të akuzuar munguan në fillim të seancës, gjyqtarja Shadije Gërguri vendosi që të vazhdohet me leximin e aktakuzës, pa veçuar procedurën ndaj atyre që munguan.

Pasi aktakuza u lexua nga prokurorja Florije Salihu –Shamolli gati një vit pasi u ngrit aktakuza ndaj 64 personave, ish-ministri Agani dhe të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm në rastin e njohur si “Stentat”.

“E ftoj prokuroren e Prokurorisë Speciale të Kosovës që të bëjë leximin e aktakuzës për personat që janë prezentë në sallën e gjykimit, ndërsa për personat që nuk janë prezentë gjykata do të vendosë ma vonë”, tha Gërguri.

Leximi i aktakuzës në mungesë të të akuzuarve Murat Abazi e Hajdin Çitaku u kundërshtua nga avokatët por kjo nuk u morr për bazë nga gjyqtarja Gërguri.

“Gjyqtare ose e veçoni procedurën sepse kështu nuk mundemi me vazhdu, kjo është shkelje e ligjit”, tha avokati Arianit Koci.

Kundërshtime pati edhe avokati, Behar Ejupi por atij ju tërheq vërejtja nga kryetarja e trupit gjykues.

“Ne jemi avokatë mbrojtës që i mbrojmë të drejtat e klientëve përderisa nuk merrni aktvendim”, tha Ejupi.

Pas dëgjuan leximin e aktakuzës ish-Ministri Agani dhe 62 personat e tjerë u deklaruan të pafajshëm.

Pas leximit të aktakuzës kryetarja e trupit gjykues i dha 30 ditë kohë mbrojtjes për të paraqitur kundërshtimet e tyre ndaj aktakuzës.

Avokati Kujtim Kërveshi kundërshtoi këtë duke thënë se nuk mund të kundërshtohet aktakuza dhe provat nëse nuk i kanë pranuar ato, por edhe ky kundërshtim nuk u morr parasysh.

Në Rastin “Stenta” të akuzuar janë 44 mjekë dhe 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.

Pjesë e këtij gjykimi janë ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani dhe sekretari i përhershëm i kësaj ministrie Gani Shabani që akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë lëshimit të lejeve për trajtimin e pacientëve jashtë vendit.

Sipas aktakuzës, këta të pandehur duke vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë Institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.

Sipas aktakuzës, këta dy të akuzuar i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumë prej  4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumë prej 504,595.00 euro apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.

Shkrimet e KALLXO.com për këtë gjykim mund t’i lexoni në këtë link.