Ish-Kryetari Tash Ministër- Projekte Milionëshe për Gjakovën

Tre ministra të Qeverisë së Kosovës vizituan sot Gjakovën dhe u takuan me kryetarin Ardian Gjini.

Të tre ministrat- Albena Reshitaj, Pal Lekaj e Kujtim Gashi me kryetarin Gjini diskutuan për projekte nga të cilat do të përfitojë Komuna e Gjakovës.

Kryetari Ardian Gjini tregoi se në takim u nënshkruan pesë memorandume bashkëpunimi për projekte infrastrukturore në Gjakovë me ministrin e infrastrukturës, ndërsa tregoi se me dy ministrat tjerë u diskutuan projekte të ndryshme.

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj që ishte nga viti 2007 deri në vitin 2013 kryetar i Gjakovës, tha se me kryetarin e komunës ka nënshkruar memorandum për kryerjen e punëve infrastrukturore në vlerën e 14 milionë eurove.

“Nga Gjakova japim mesazhe se pranvera që po vie do të jetë punishte e madhe për Gjakovën. Ne sot nënshkruam me kryetarin e Komunës së Gjakovës zotin Gjini një memorandum për bashkëfinancim apo për mbështetje që i bëhet Komunës së Gjakovës në infrastrukturë në vlerë prej 14,000,000 euro”, tha Lekaj.

Ai tregoi se në memorandum është përfshirë unaza rrugore që do ta shkarkojë qytetin nga makinat.

“Vlen të theksohet projekti për ndërtimin e çarkores që e shkarkon nga trafiku qendrën e qytetit dhe mendoj që është një projekt që do të kushtojë diku rreth 8,000,000 euro”, tha Lekaj.

Edhe ministrja e Ambientit Albena Reshitaj tregoi projektet e kësaj ministrie për Gjakovën.

“Ne jemi zotuar do të kujdesemi që të bëjmë rehabilitimin e shtretërve të lumenjve pasi që kanë devijuar disa shtretër të lumenjve. Gjithashtu në projekt kemi nda për trajtimin e lumit ‘Krena’ diku rreth 220.000 euro”, tha Reshitaj.

Ajo foli edhe për impiantin e ujërave të zeza në vlerën e 16 milionë eurove, duke treguar se një pjesë të këtyre parave do të sigurohen nga qeveria, ndërsa mjetet tjera nga donacionet e qeverive gjermane e zvicerane.

Edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kujtim Gashi tregoi çfarë projekte do të financojë në Gjakovë ministria e drejtuar prej tij.

“Ne jemi duke e financuar kompleksin e terreneve sportive në Gjakovë dhe do vazhdojmë edhe këtë vit financimin e këtij projekti. Gjithashtu jemi dakorduar që edhe qendra kulturore në Rogovë të fillojë së ndërtuari”, tha ministri Gashi.

Ai përmendi edhe ndërtimin e një stadiumi ndihmës për Klubin e Futbollit “Vllaznimi” dhe kompleksin edukativo-rinor në Pjetërshan.

Kryetari Ardian Gjini e vlerësoi fitore ardhjen e ministrave me projektet të cilat do të përfshijnë Gjakovën.

“Mendoj se sot jemi fitues mirëpo kjo fitore nuk do të thotë asgjë më tepër sesa një obligim i cili duhet të ndodhë në Gjakovë”, tha Gjini.