Ish-Kryetari i Obiliqit: Po i Hakmerren Gruas Sime

Ish-kryetari i Obiliqit akuzon pushtetin lokal të kësaj komune se ia larguan gruan nga pozita e drejtores së shkollës për hakmarrje politike.

Përzgjedhja e drejtorit të Shkollës Fillore “Pandeli Sotiri” në Komunën e Obiliqit ka nxitur akuza për punësime politike në arsim  ndërmjet udhëheqjes aktuale dhe të kaluar të komunës.

NDËRLIDHUR

Xhevahire Krasniqi, bashkëshortja e Ish-kryetarit të Obiliqit Mehmet Krasniqi, pretendon se nuk iu vazhdua mandati  si drejtoreshë e Shkollës “Pandeli Sotiri” si pasojë e hamarrjes politike ndaj burrit të saj.

Një raport anonim i ardhur në KALLXO.com ngriti shqetësimet se një drejtoreshë në Shkollën “Pandeli Sotiri” ishte larguar për shkaqe politike duke dëmtuar kështu mbarëvajtjen e kësaj shkolle.

Xhevahire Krasniqi thotë se Komuna e Obiliqit nuk ia vazhdoi mandatin e drejtoreshës, edhe pse një gjë të tillë e mundëson ligji nëse puna e drejtimit të shkollës konsiderohet se është kryer mirë.

“Unë kam pasur motiv dhe asaj shkolle iu kam përkushtuar me të madhe. E kisha qëllim vetëm projektet që kisha në zhvillim t’i realizoj. Si drejtor është edhe nënçmim mënyra se si jam larguar, ajo është nënçmuese për mua dhe drejtori i arsimit ka konsideruar që po i kërkoj lëmoshë, ndërsa unë kam kërkuar atë që më takon”, tha Krasniqi për KALLXO.com.

Ish-kryetari i Obiliqit Mehmet Krasniqi nga Lidhja Demokratike e Kosovës thotë për KALLXO.com se qeverisja komunale e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës po e godet në familje.

“Unë mendoj që ky është një rast tipik i keqpërdorimit të pozitës politike udhëheqëse komunale, sepse është një hakmarrje primitive pikërisht për faktin se është bashkëshorte e imja dhe ma ka pa sherrin se ndoshta në rrethana tjera nuk do të ishte larguar për shkak të performancës jashtëzakonisht të mirë”, tha Krasniqi.

Për ndërrimin e dretoreshës së kësaj shkolle kishin reaguar edhe disa prindër me protesta dhe peticion për të vazhduar mandatin  e saj.

Shaban Kurteshi, që ka dy fëmijë në këtë shkollë tha për KALLXO.com se kanë qenë të kënaqur me punën e Xhevahire Krasniqit të cilën sipas tij po e shkatërron drejtori aktual Bedri Neziri.

“Ne nuk kemi qenë kundër këtij drejtori, por kemi qenë për t’i vazhduar kontratën Xhevahire Krasniqit e cila me punën e saj të zellshme ka punuar në bashkëpunim me neve si prindër. Ka shumë të arritura si muzeu i shkollës dhe bina të cilën [drejtori i ri], e ka shkatërruar për inate politike”, tha Kurteshi.

Sipas Raportit në KALLXO.com drejtori Neziri është përzgjedhur për shkak të preferencave politike të kryetarit të Obiliqit Xhafer Gashi.

Bedri Neziri për KALLXO.com e pranoi se ka qenë anëtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës por sipas tij është larguar nga anëtarësia me marrjen e pozitës paraprake në udhëheqje arsimore.

“Unë personalisht me zgjedhjen në pozitë të zëvendësdrejtorit, para zgjedhjes kam qenë anëtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, mirëpo i kam pushuar të gjitha veprimtaritë politike të miat”, deklaroi Neziri.

Por drejtori i Arsimit në Komunën e Obiliqit Agim Spahiu mohon kategorikisht se ndërrimi i drejtorëve është bërë në baza politike.

“Ish-drejtoresha e ka kualifikimin që nuk përkon për mësimdhënie, a është politike apo jo le ta vlerësojë opinion. Drejtori që është zgjedhur është i vetmi kandidat që i ka plotësuar kriteret, i vetmi, ska pasur edhe konkurrent tjetër”, tha Spahiu.

12 Shkurt 2017 - 18:00

Doruntina Baliu 12/02/2017 - 18:00
NDËRVEPRIMI196

Ish-Kryetari i Obiliqit: Po i Hakmerren Gruas Sime

by Doruntina Baliu
NA NDIQNI