Ish-kryeministri që kishte pasur 91 këshilltarë

Këshilltarët dhe bashkëpunëtorët më të paguar të ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikola Gruevskit, kanë marrë pagë prej 2.500 deri në 7.000 euro.

Këto të dhëna i publikoi Qeveria aktuale, e cila hartoi një listë prej 91 personave të cilët ishin të angazhuar në kohën e qeverisjes së Gruevskit.

Sipas listës, 7 mijë euro në muaj ka marrë Robert Valter, ish- nënkryetar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, emri i të cilit lidhet me skandalin “diplomacia e havjarëve”, për ekzistimin e rrjetit që ka pranuar dhurata, orë, havjar dhe shumë para për lobim në interes të vendeve të caktuara.

I rendituri i radhës në këtë listë është Jehoshua Glajtman, i cili si bashkëpunëtor i jashtëm, në nivel vjetor ka marrë nga 26 mijë dollarë, plus shpenzime rrugore, ushqim dhe akomodim në Maqedoni.

Emri i tij lidhet me Elbit Sistem, kompania e Izraelit e cila e ndërtoi qendrën për trajnim të piloteve në kazermën Petrovec.

“Brenda një viti, qeveria e Gruevskit për bashkëpunëtorët dhe këshilltarët e jashtëm ka shpenzuar 71,6 milionë denarë, para të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, mes të cilëve kanë qenë të angazhuar edhe bashkëpunëtorë të jashtëm me pagë prej 7.000 eurove në muaj. Gjithashtu, mungojnë të dhënat e agjencive autore përmes të cilave janë angazhuar bashkëpunëtorë të jashtëm, që do të thotë se ky numër nga 91 këshilltarë dhe bashkëpunëtorë të jashtëm, nuk është përfundimtar”, nga Qeveria e RM-së, shkruan Tv21.tv.

Por, VMRO-DPMNE e demanton Qeverinë, duke thënë se LSDM nuk duhet ta luajë më rolin e opozitës duke e tërhequr vëmendjen e opinionit publik nga shpenzimet skandaloze të parave të qytetarëve për këshilltarët aktualë.

“Nuk është e vërtetë se Nikolla Gruevski si kryeministër ka angazhuar mbi 90, apo më saktësisht, 92 persona. Nga lista të cilën e publikoi qeveria e LSDM-së sot, ata dëshirojnë të manipulojnë për shkak se vetëm rreth 20 persona ishin këshilltarë të jashtëm në periudhën 10 vjeçare derisa VMRO-DPMNE ka qenë në pushtet, ndërsa të gjithë të tjerët ishin të angazhuar në kornizat e administratës shtetërore si këshilltarë, këtë e them në qoftë se në Qeveri nuk e dinë se në administratë ekziston pozita “këshilltar” si person i punësuar i rregullt”, tha Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Listën të cilën e publikoi qeveria, tregon se slloveni Marjan Hribat ka qenë këshilltar i jashtëm në kabinetin e Gruevskit për çështje të turizmit, me pagë prej 2.500 euro në muaj.

Amerikani Xhorxh Peri, ka qenë këshilltar i jashtëm i ish-kryeministrit për tërheqjen e investimeve të huaja, ka marrë nga 5 mijë dollarë në muaj.

Për investime të huaja, Gruevskin e ka këshilluar edhe Aleksandar Nikovski, i biri i ish- ambasadorit Risto Nikovski, i cili ka marrë 4 mijë euro në muaj.

Këtë periudhë, shumë reagime shkaktoi numri i këshilltarëve të Zaevit, i cili për pothuajse një vit ka angazhuar 56 këshilltarë, këshilltarë të veçantë dhe bashkëpunëtorë të jashtëm, mes të cilëve janë edhe Xhezair Shaqiri i njohur si “Komandant Hoxha” dhe Lube Boshkovski, të cilët gjenden në listën e zezë të SHBA-së.

Për angazhimin e tyre në Qeverinë e Zaevit reagoi edhe ambasada e ShBA-së në Shkup./21Media