Radovan Karaxhiq - Foto: ICTY

Ish-Këshilltari i Radovan Karaxhiqit Gjykohet për Krime Kundër Njerëzimit

Jovan Tintor, i njohur gjithashtu si Joja, doli në gjyq të hënën në gjykatën shtetërore në Sarajevë i akuzuar për ndalim të paligjshëm, torturim, rrahje, punë të detyruar dhe vrasje të viktimave boshnjake dhe kroate në disa vende, përfshirë edhe kampet e burgimit.

Tintor, ish-drejtor i Komitetit të Krizës të komunës Vogosca, akuzohet për pjesëmarrje në një sulm të gjerë dhe sistematik kundër popullsisë jo-serbe në komunë nga prilli 1992 deri në fund të korrikut të atij viti.

Ndër të tjera, Tintor akuzohet se ka vrarë një grua që ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë.

Prokuroria pretendon se, si pasojë e krimeve, pothuajse e gjithë popullsia boshnjake dhe kroate u dëbua nga zona e Vogoscas dhe rrethinat e saj në fund të vitit 1992.

I pandehuri e deklaroi veten të pafajshëm.

“Lavdi Zotit, s’kam pse ta mbroj veten nga të gjitha këto akuza. Nuk jam fajtor për asgjë,” tha Tintor në gjykatë.

Një nga avokatët e tij, Nina Kisiq, tha se mbrojtja nuk do ta mohonte se Tintor ishte kryetari i Komitetit të Krizës të komunës Vogosca nga fundi i prillit deri në maj të vitit 1992, por këmbënguli se puna u mor përsipër nga një person tjetër në fund të majit të atij viti.

“Ne do të vërtetojmë se sipërmarrja e përbashkët kriminale nuk ekzistonte. Tintor nuk ishte i përfshirë në ndonjë aktivitet kriminal,” tha Kisiq.

Ajo tha se akuzat se ka pasur një sulm i gjerë dhe sistematik kundër popullsisë lokale në Vogosca ishin të pavërteta.

Tintor ishte ish-këshilltari i presidentit serb të Bosnjës Radovan Karaxhiq dhe kryetari i Partisë së tij Demokratike Serbe në Vogosca.

Karaxhiq u dënua për gjenocid dhe krime të tjera nga gjykata e Hagës në mars të vitit të kaluar. Çështja tani ka kaluar në apel.

Gjyqi i Tintorit do të vazhdojë më 16 janar.