Gjykimi i ish-inspektorëve | Foto: KALLXO.com

Ish-Inspektorja Tregon si u Ndërhy në një Leje Ndërtimi

Në gjykimin e ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës vazhdoi dëshminë e akuzuara e këtij procesi Blerina Syla.

Syla që ishte inspektore në Komunën e Prishtinës prej vitit 2010 deri në vitin 2014 tregoi në gjykatë shkeljet që sias saj kishte bërë “Pozhegu Brothers” në lidhje me një ndërtim që është pjesë e aktakuzës.

Ish-inspektorja tha se kjo kompani kishte ndërhyrë në lejen e ndërtimit, në të cilën ishte shënuar dy hrë objekti i njëjtë.

Syla sqaroi se kjo gjë ishte bërë që kompania të ndërtojë edhe një objekt me dimensione të njëjta si objekti që kishte ndërtuar.

Ajo tregoi se ky objekt i dytë ishte ndërtuar deri në katin e pestë apo gjashtë, pastaj ishin rrënuar nga inspeksioni dy kate të saj.

Avokati i Ibrahim Dobruna e pyeti të akuzuarën Syla, se a e kishte njoftuar kolegu i saj Mërgim Shala në lidhje me një procesverbal rreth Pozhegu Brothers.

Dëshmitarja tha se ky procesverbal ishte shkruar nga pronari i kësaj kompanie.

“Po jam njoftuar me atë procesverbal, por në atë procesverbal është shkruar me dorë nga vetë Qemal Pozhegu se për të njëjtin objekt i ka taksat administrative të paguara dhe i ka fletëpagesat, të cilat nuk ekzistojnë, por vetëm na ka thënë ashtu dhe vetë ai e ka nënshkruar të njëjtin procesverbal”, u përgjigj e akuzuara.

Dobruna më pas e pyeti të akuzuarën se ai i kishte dokumentet piketimin, lejen e ndërtimit dhe projektin kryesor në lidhje me objektin që e kishte inspektuar.

Ish-inspektorja Blerina Syla tha se nuk i kishte gjithmonë këto dokumente, edhe pse konstatoi se drejtoria e urbanizmit duhej t’ia dorëzonte nga një kopje të tyre drejtorisë së inspeksionit.

E akuzuara tha se drejtoria e urbanizmit nuk kishte përcjellë në inspeksion një kopje të lejes së ndërtimit të kompanisë “Pozhegu Brothers”.

Por pas këtyre fjalëve të Blerina Sylës, avokati Dobruna ia paraqiti asaj kopjen fizike të protokollit mbi pranimin e lëndës “Pozhegu Brothers” nga drejtoria e urbanizmit për drejtorinë e inspekcionit.

E akuzuara pastaj deklaroi se nuk e ka parë atë kopje dhe nuk i është dorëzuar asaj.

Blerina Syla u mor në pyetje edhe më 14 nëntor.

http://kallxo.com/ish-inspektorja-une-nxirrja-vendime-per-rrenim-ndertuesit-pajiseshin-leje-ndertimi/

Të gjithë të akuzuarit në këtë proces janë deklaruar të pafajshëm për akuzat e prokurorisë.

Të akuzuar në këtë proces gjyqësor janë Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi.

Sipas aktakuzës, kryeinspektori Ismet Haliti dhe të akuzuarit Skender Canolli, Vehbi Abdullahu, Drita Rukiqi, Blerina Syla, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala dhe Granit Cenaj në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Inspeksionit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, në periudhën kohore Janar 2010 – Mars 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare, ashtu që nuk i kanë parandaluar dhe nuk i kanë ndërprerë ndërtimet kundërligjore.

Prokuroria po ashtu pretendon se të akuzuarit nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin  e objekteve që ndërtoheshin në mënyrë kundërligjore në territorin e Komunës së Prishtinës, duke vepruar si grup kriminal i cili e ka shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare për kryerjen e veprave penale.