Gjykimi i ish-inspektorit | Foto: KALLXO.com

Ish-Inspektori: U Kërcënova me Armë nga Pronari i një Objekti

Në gjykimin e ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës vazhdoi deklarimi i të akuzuarve, Blerim Ibishi dhe Ardian Muhadri para trupit gjykues.

Ish-inspektori Blerim Ibishi tregoi se ishte kërcënuar me armë zjarri për një rast të rrënimit të një objekti në Lagjen “Vreshta” nga pronari i këtij objekti.

Ibishi tregoi se policia kishte arrestuar kërcënuesin e tij, por asnjëherë nuk ishte ftuar për të dëshmuar as nga policia, e as nga prokuroria për këtë rast.

Kryesuesi i trupit gjykues Beqir Kalludra e pyeti Ibishin për veprimet e ndërmarra nga ai në lidhje me një objekt që është pjesë e aktakuzës.

Ibishi deklaroi se për atë objekt është organizuar disa herë aksioni për rrënim dhe është rrënuar ajo pjesë që është rrënuar.

“Në fund ajo pjesë e rrënuar është evidentuar në procesverbal dhe i është raportuar edhe shefit”, deklaroi Blerim Ibishi, duke iu referuar me “shef”, shefit të sektorit, Ismet Haliti, një tjetër të akuzuari të këtij procesi.

Më tej, në përgjigjet e tij, i akuzuari Ibishi theksoi se organizimi i aksionit për rrënim varej nga shefi i sektorit, Ismet Haliti.

“Shefi kur ka dashtë me organizu rrënimin, e ka organizuar, kur s’ka dashtë, s’ka organizuar”, deklaroi Ibishi.

Trupi gjykues u interesua edhe për vendimet për rrënim që kishte nxjerrë Blerim Ibishi, por të cilat nuk ishin ekzekutuar.

I pyetur nëse kishte kërkuar shpjegime se pse nuk janë ekzekutuar këto vendime për rrënim, Ibishi deklaroi se në mbledhjet e përjavshme të inspektorëve kishte raportuar lidhur me këto vendime.

Pyetjet e trupit gjykues ndaj Blerim Ibishit, nuk i pëlqyen Ramiz Krasniqit, avokatit të Ismet Halitit.

Krasniqi deklaroi se trupi gjykues ka tendenca ndaj disa të akuzuarve.

Pas kësaj deklarate të avokatit Krasniqi, gjyqtari Kalludra i dha vërejtje atij për sjellje të palejuara në gjykim, duke e gjobitur me 500 euro.

http://kallxo.com/gjyqtari-beqir-kalludra-denon-500-euro-gjobe-avokatin/

Avokati Krasniqi shprehu shqetësim duke thënë se kjo situatë do të shkojë në dëm të të mbrojturit të tij.

Por gjyqtari Kalludra siguroi të gjithë të akuzuarit se në shumë raste “trupi gjykues mbron të drejtat e të akuzuarve më mirë se vetë avokatët e tyre mbrojtës”.

I akuzuari tjetër Ardian Muhadri tha se kur u emërua inspektor e kishte një periudhë të punës provuese gjatë së cilës nuk kishte përgjegjësi.

Kjo periudhë provuese, sipas Muhadrit, përfundoi në qershor të vitit 2013, kur tha se mori përgjegjësinë e plotë si inspektor.

Muhadri deklaroi se nga qershori i vitit 2013 për objektet që binin në përgjegjësinë e tij kishte lëshuar vendime për rrënime.

Muhadri tregoi se këto vendime nuk ishin ekzekutuar.

“Asnjë vendim për rrënim që kam nxjerrë nuk është ekzekutuar dhe asnjëherë nuk më ka thirrë askush në aksion për rrënim”, tha i akuzuari Muhadri.

Ai shtoi se çdo javë në mbledhje kishte raportuar për këto vendime dhe në ato raporte e kishte cekur se vendimet për rrënim nuk po ekzekutohen.

Të akuzuar në këtë proces gjyqësor janë Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi.

Që të gjithë këta janë deklaruar të pafajshëm për akuzat e prokurorisë.

Sipas aktakuzës, kryeinspektori Ismet Haliti dhe të akuzuarit Skender Canolli, Vehbi Abdullahu, Drita Rukiqi, Blerina Syla, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala dhe Granit Cenaj në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Inspeksionit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, në periudhën kohore janar 2010 – mars 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare, ashtu që nuk i kanë parandaluar dhe nuk i kanë ndërprerë ndërtimet kundërligjore.

Prokuroria po ashtu pretendon se të akuzuarit nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin e objekteve që ndërtoheshin në mënyrë kundërligjore në territorin e Komunës së Prishtinës, duke vepruar si grup kriminal i cili e ka shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare për kryerjen e veprave penale.

KALLXO.com e ka përcjellë në vazhdimësi këtë proces gjyqësor.