Pamje nga seanca e sotme e gjykimit të ish-inspektorëve të ndërtimit - Foto: KALLXO.com

Ish-Inspektori i Ndërtimit: Procedura e Përmbarimit Nuk Ka Qenë Përgjegjësi e Imja

Në gjykimin e ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës, sot paraqiti mbrojtjen i akuzuari Vehbi Abdullahu, ish-inspektor i ndërtimit.

I akuzuari u pyet nga avokati i tij Ali Beka se për cilat zona të ndërtimit kishte qenë përgjegjës dhe për veprimet që i kishte marrë për zonat që ishte përgjegjës.

Me këtë rast, Abdullahu tha se masat e ndërmarra nga ai fillonin nga ftesat për palën deri te nxjerrja e vendimit për rrënim të objektit në rastet kur këto objekte nuk kishin pasur leje.

I pandehuri tha se puna e tij mbaronte me nxjerrjen e vendimit për rrënim.

“Puna jonë ka përfunduar me nxjerrjen e vendimit për rrënim, të cilin vendim për rrënim ia kemi dorëzuar një kopje të vulosur shefit, i cili e ka ndalë për procedim të mëtejshëm, një kopje tjetër i është dorëzuar investitorit dhe një kopje tjetër e kemi ndalë për vete”, deklaroi Vehbi Abdullahu.

Sipas të akuzuarit, procedura e përmbarimit për ekzekutim nuk ka qenë përgjegjësi e inspektorit të ndërtimit. Sipas tij, organizimin dhe ekzekutimin për rrënim gjithmonë e ka bërë shefi i sektorit me ekzekutuesin.

Ndërsa prokurorja speciale Drita Hajdari e pyeti të akuzuarin nëse kishte biseduar në telefon me të akuzuarin tjetër Skender Canollin, gjë të cilën i akuzuari e pohoi.

Ai tha se Skender Canolli e kishte telefonuar atë për ta ftuar të shkonte dhe të kontrollonte sepse dikush po i vazhdonte punimet.

Abdullahu tha se kishin qenë atje por nuk kishin përpiluar procesverbal por vetëm e kishin lënë ftesën për palët për t’u paraqitur në ditët në vijim te inspektori përgjegjës.

Më pas prokurorja kërkoi të dinte nëse Skender Canolli kishte kërkuar nga ai diçka më shumë dhe nëse i njëjti kishte pasur kompetenca të kërkonte diçka nga Vehbiu.

Në lidhje me këtë ish-inspektori i ndërtimit tha se Canolli i kishte thënë atij të shkonte dhe t’i ndalonte ndërtimet, e sa i përket kompetencave tha se Canolli si ekzekutues kishte kompetenca mbi të vetëm atëherë kur ai e zëvendësonte shefin e sektorit.

Prokurorja po ashtu e pyeti të akuzuarin se a e kishte pyetur ai ndonjëherë shefin e sektorit se pse nuk po ekzekutoheshin vendimet për rrënim, kurse i akuzuari tha se shefi i sektorit u kishte thënë se ato janë në listën për rrënim dhe se shpejti do të ekzekutohen.

Gjatë kësaj seance mbrojtjen e tij filloi ta japi edhe i akuzuari tjetër Blerim Ibishi.

Ai u pyet nga avokati i tij Gafurr Elshani nëse kishte qenë përgjegjës për 14 objekte të cilat janë objekt i aktakuzës, gjë për të cilën i akuzuari deklaroi se ai nuk kishte qenë përgjegjës për gjithë ato objekte.

Në lidhje me procedurën për rrënim i njëjti tha se i kishte marrë të gjitha procedurat konform ligjit ashtu që në momentin kur pala nuk e ka respektuar vendimin për pezullim të punëve apo ndonjë procesverbal të hartuar nga inspektori dhe ka vazhduar punën atëherë inspektorit nuk i ka mbetur gjë tjetër pos të lëshojë vendimin për rrënim.

http://kallxo.com/ish-inspektorja-tregon-si-u-nderhy-ne-nje-leje-ndertimi/

Të gjithë të akuzuarit në këtë proces janë deklaruar të pafajshëm për akuzat e prokurorisë.

Të akuzuar në këtë proces gjyqësor janë Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi.

http://kallxo.com/ish-inspektorja-une-nxirrja-vendime-per-rrenim-ndertuesit-pajiseshin-leje-ndertimi/

Sipas aktakuzës, kryeinspektori Ismet Haliti dhe të akuzuarit Skender Canolli, Vehbi Abdullahu, Drita Rukiqi, Blerina Syla, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala dhe Granit Cenaj në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Inspeksionit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, në periudhën kohore Janar 2010 – Mars 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare, ashtu që nuk i kanë parandaluar dhe nuk i kanë ndërprerë ndërtimet kundërligjore.

Prokuroria po ashtu pretendon se të akuzuarit nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin  e objekteve që ndërtoheshin në mënyrë kundërligjore në territorin e Komunës së Prishtinës, duke vepruar si grup kriminal i cili e ka shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare për kryerjen e veprave penale.

Seanca e radhës do të mbahet me datën 13 dhjetor.