Atif Dudakoviq | Foto: Facebook

Ish-gjenerali boshnjak Dudakoviq arrestohet për krime lufte

Atif Dudakoviq, ish-komandant i Korpusit të Pestë të Ushtrisë Boshnjake, u arrestua nën dyshimet për krime lufte kundër serbëve dhe boshnjakëve në vitet 1994 dhe 1995.

Ish-gjenerali i Ushtrisë Boshnjake Atif Dudakoviq, së bashku me 11 oficerë dhe ushtarë të Korpusit të Pestë të Ushtrisë Boshnjake, u arrestua të premten nën dyshimin për kryerjen e krimeve të luftës kundër serbëve dhe boshnjakëve gjatë luftës 1992-1995 në vend.

Krimet e dyshuara përfshijnë disa qindra viktima, përfshirë civilë dhe ushtarë serb të kapur nga komunat e Krajinës Perëndimore të Bosnjës në vitin 1995, si edhe krime kundër civilëve boshnjakë nga Provinca Autonome e Bosnjës Perëndimore, një shtet i vetëshpallur boshnjak, në vitin 1994.

Raportet e medias thanë se arrestimi erdhi pas një hetimi mbi Dudakoviqin që kishte vazhduar për 12 vjet.

Në vitin 2009, mediat në Bosnjë dhe Serbi transmetuan një videokasetë ku shfaqej Dukadoviqi duke dhënë një urdhër për “zjarr” ose “që të digjeshin të gjitha”, duke iu referuar një fshati serb në një operacion ushtarak në vitin 1994.

Dudakoviq hodhi poshtë pamjet duke thënë se ishin “pjesë e luftës propagandistike të serbëve të Bosnjës, që vazhdon ende dhe nuk është asgjë e re”.

Pas publikimit të videos, megjithatë, kundër Dudakoviqit u ngrit një padi penale nga presidenti i atëhershëm i Republikës Serbe, Dragan Caviq dhe kryeministri i entitetit Milorad Dodik.

Një komandant i njohur ushtarak boshnjak, gjatë luftës në Bosnjë ai komandoi enklavën e Bihaqit në Bosnjën Veriperëndimore. Pas luftës, ai u bë komandant i përgjithshëm i Ushtrisë së Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës.

Sipas mediave, Ibrahim Nadareviç, një tjetër komandant i kohës së luftës dhe ish-ministër i Çështjeve të Veteranëve në Qeverinë e Entitetit të Federatës, u arrestua gjithashtu në Sarajevë.